AlbanianSport.com 15/08/2018 18:45
ASNN – Çiklizmi shqiptar ka humbur të mërkurën në orët e parë të mëngjesit një nga figurat e saj, ndërsa bëhet fjalë për Ruzhdi Çermën i ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.
Ruzhdi Çerma është veterani i fundit në brezin e tij dhe një ndër çiklistët e parë të viteve 1945-1957. Ka marrë pjesë në garën e parë të Rrethit Çiklistik më 1947 dhe kjo së bashku me Fadil Murriqin, Pirro Angjelin, Niko Koten.
Madje së bashku kanë qenë pjesëmarrës dhe në garën ndërkombëtare të paqes Pragë-Berlin-Varshavë më 1955-ën. E ka ushtruar sportin e çiklizmit për 15 vjet në garën e rrugës, ndërsa këtij sporti nuk i është ndarë për më shumë se sa 70 vjet.
Pas lënies së karrierës si sportist, Çerma ka ushtruar dhe rolin e kryegjyqtarit apo dhe gjyqtarit të garave, ndërsa ka treguar pasion, vullnet, ndërgjegjshmëri në detyrat e ngarkuara nga Federata Shqiptare e Çiklizmit.
Ai ishte një shembull për shumë breza, ndërsa nga dora e tij kanë kaluar shumë emra të mëdhenj, që sot janë legjenda të këtij sporti burrëror. Ruzhdi Çerma mban titullin Mjeshtër Sporti, ndërsa përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet nesër në ora 11:00.