AlbanianSport.com 13/08/2018 20:40
ASNN – Shqipëria e volejbollit të femrave u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve në Tiranë në prag të ndeshjes së parë Eliminatore të Kampionatit Evropian. Bëhet fjalë për ballafaqimin me Kroacinë, që të mërkurën në ora 18:00 do të zhvillohet në Zagreb dhe që do të vijë drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Erblira Bici, lojtarja më e mirë e kombëtares së Shqipërisë, ka folur edhe për përgatitjet e deritanishme, duke vlerësuar përkushtimin e skuadrës në stërvitje.
Për shkak të 5 mungesave në këtë përfaqësuese, krahasuar me pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, apo dhe Lojërat Mesdhetare, Erblira Bicit do t’i bjerë pesha kryesore e sulmit. Por Bici nuk tutet përpara këtij fakti, ndërsa është e gatshme me të gjithë skuadrën të bëjë më të mirën. Përqendrimi i të gjitha veprimeve sulmuese tek Bici, e cila duket se në mungesë të kapitenes Prenga do të bëjë dhe diagonalisten me pasin në pozicionin Nr. 4, e bën të lexueshme lojën e Shqipërisë.
Madje, ndoshta më të lehtë për kundërshtarin. E Bici këtë e di, ndaj dhe pohon se do të japë maksimumin për t’ia dalë mbanë në këtë detyrë. Ndërkohë ndeshja me Kroacinë është në prag dhe Shqipëria i ka të qarta objektivat e veta. Dhe në fund, duke qenë se në shtator janë finalet e Kampionatit Evropian të Nën-19-vjeçareve në Tiranë e Durrës, Bici e ka një mesazh për të gjitha vajzat e reja që do të bëhen volejbolliste, duke i ofruar veten si shembullin më të mirë për të shkuar më tej.