AlbanianSport.com 13/08/2018 13:05
ASNN – Shqipëria e minifutbollit i ka humbur dy ndeshjet e para në Kampionatin Evropian, që është duke u zhvilluar në Kiev të Ukrainës e që po vjen drejtpërsëdrejti në Rjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport. Në ndeshjen e parë, teksa kishin mbërritur në Kiev vetëm 8 orë përpara fillimit të takimit, janë mundur minimalisht 1-0 nga Kazakistani pas golit të Abdrasilov në të 8-ën minutë, që ka përfituar dhe nga gabimi i portierit Bregasi.
Një gabim i tillë ka ardhur dhe në fillimin e ndeshjes me Bosnjë-Hercegovinën, që ka shënuar shpejt me anë të Lovrinoviç. Edhe pse me pak vështirësi, mes fatit dhe gabimeve të kundërshtarit, Shqipëria përfiton për të përmbysur disavantazhin. Fillimisht me anë të kapitenit Hysenbelliu në minutën e 12-të, dhe, më pas, me anë të Shimës në të 18-tën dhe pjesa e parë ka përfunduar 2-1. Mirëpo kjo epërsi ka rezistuar vetëm 7 minuta, sepse në të 27-tën minuta ka barazuar Pantiç.
Më pas, kuqezinjtë ndëshkon Lovrinoviçi, me dy gola në harkun kohor të një minute dhe gjithçka është kthyer përmbys, nga 2-1 në 2-4. Ky rezultat do të qëndronte deri në përfundim të ndeshjes, ndërsa Bosnjë-Hercegovina merr fitoren e dytë radhazi, kurse kuqezinjtë humbjen e dytë radhazi. Me 2 gola të shënuar dhe 5 të pësuar në dy ndeshje dhe pa asnjë pikë, Shqipëria e minifutbollit nuk e ka nisur mirë aventurën e saj të parë ndërkombëtare.
Sot kombëtarja që drejtohet nga Andi Koçi është pushim, kurse të mërkurën në ora 14:00 me të Tiranës do të jetë përballë Irlandës.