AlbanianSport.com 10/08/2018 21:55
ASNN – Nënkampionia e Evropës në 3,000 metra me pengesa, Luiza Gega, ka shkëlqyer në garën eliminatore të kësaj disipline, të mbajtur pak pas mesditës së të premtes në Berlin, atje ku po zhvillohet Kampionati Evropian. 9 minuta, 33 sekonda e 11 të qindtat ishte koha e Gegës, që është e dyta në baterinë e dytë, por njëkohësisht dhe koha e dytë më e mirë e eliminatoreve.
Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, atletja është shprehur të kënaqur dhe tashmë e kanë hedhur vështrimin drejt finales së 12 gushtit. Përtej zhgënjimit nga gara e Izmir Smajlajt dhe gjithë debatit që pasoi, atletika shqiptare ka sjellë edhe një lajm të mirë nga Berlini, atje ku po zhvillohet Kampionati Evropian. Atletja shqiptare, Luiza Gega, është kualifikuar për finale në garën e 3,000 metrave me pengesa, që zhvillohet më 12 gusht.
Në baterinë e dytë eliminatore të zhvilluar në kryeqytetin gjerman, 29-vjeçarja nuk është sforcuar shumë, ndërsa ka kryesuar për disa xhiro, duke ia lënë më pass kryesimin zviceranes Fabienë Shlump, që ishte në përfundim dhe fituesja e baterisë së dytë eliminatore në 3,000 metra me pengesa për femra. 9 minuta, 33 sekonda e 11 të qindtat ishte koha e Luiza Gegës, që është e dyta në baterinë e dytë, por njëkohësisht dhe koha e dytë më e mirë e eliminatoreve.
Të dielën do të jetë edhe finalja e kësaj gare dhe shpresohet që do të ketë një tjetër medalje nga Luiza Gega, si dy vjet më parë në Amsterdam, kur do të shpallej nënkampione e Evropës.