AlbanianSport.com 10/08/2018 19:45
ASNN – Shqipëria e moshës deri në 18 vjeç për femra ka pësuar humbjen e 6-të radhazi, teksa të premten në mesditë ka humbur ndeshjen e turit çerekfinal për vendet nga i 17-ti, deri në të 24-tin. Përballë vajzave të trajneres Mirza Alibegaj ka qenë Islanda, e cila në fund ka arritur një fitore me 39 pikë diferencë, 89-50.
Ka një farë ekuilibri në pjesën e parë, por që është fituar nga islandezet, 15-7. Edhe e dyta duket në nivel të barabartë mes ekipeve, veçse Islanda nuk lëshon. Fiton 23-15 dhe në pushimin e dy gjysmave ka kryesuar me shifrat 38-22. Në dy pjesët e dyta të ndeshjes dominimi i islandezeve është i thellë. 28-15 e treta dhe në total shifrat shkojnë 66-37.
23-13 e fundit, që vulos fitoren e Islandës me rezultatin e përgjithshëm 89-50. Lojtarja më e mirë e Shqipërisë në këtë ndeshje me Islandën ishte Silvi Sinani, me 11 pikë të shënuara, 11 topa të zotëruar në tabelë, 3 rrëmbime të topit ndaj kundërshtarit në aksion e sipër dhe 1 bllok.
Shqipëria do të rikthehet të shtunën në parket, përsëri në ora 13:30, për të luajtur për gjysmëfinalet e vendeve nga i 21-ti, deri në të 24-tin. Por 6 humbje në 6 ndeshje radhazi tregojnë gjendjen e vështirë ku është basketbolli i femrave, ndërsa ka të ngjarë që edhe Shqipëria e Nën-18-vjeçareve për vajza të jetë e fundit dhe vitin e ardhshëm të luajë në Divizionin C, atje ku sivjet doli fitues Gjibraltari.