AlbanianSport.com 10/08/2018 18:40
ASNN – Kampionia e Shqipërisë në futboll për femra, Vllaznia, e ka fituar ndeshjen e dytë në Ligën e Kampioneve. Gjithçka ka ndodhur në stadiumin “Asim Ferhatoviç” të Sarajevës, atje ku të besuarat e trajnerit Nikolin Leka kanë fituar 3-1 ndaj estonezeve të Parnusit.
Pavarësisht disavantazhi që në minutën e 12-të, teksa për Parnusin ka shënuar Sherbashenia, Vllaznia e ka gjetur forcën e përmbysjes, pasi në të 18-ën, Franja ka barazuar shifrat.
Në të 48-ën minutë ka shënuar Gjini dhe, 10 minuta para fundit, ka mbyllur llogaritë Doçi. Ndeshja e tretë dhe e fundit për Vllazninë në Ligën e Kampioneve për femra do të jetë të hënën, në ora 17:00 ndaj Aneni Noi.
Në dy ndeshje të luajtura deri më tani në këtë grup në Bosnjë-Hercegovinë, Vllaznia ka 3 pikë, me një golaverazh prej 3 golash të shënuar e 6 të pësuar, pasi e ka humbur 0-5 ndeshjen e parë me Sarajevën.