AlbanianSport.com 08/08/2018 22:50
ASNN – Kukësi ndeshet të enjten me Torpedon e Kutaisit në fushën e kësaj të fundit dhe në konferencën e zakonshme për shtyp ka dalë trajneri Armando Cungu dhe kapiteni Ylli Shameti. Për Cungun, skuadra është gati, përtej mungesës kontradiktore të 4 futbollistëve, ndërsa Shameti kërkon nga skuadra që të japë maksimumin. Takimi Torpedo e Kutaisit-Kukësi luhet të enjten në kryeqytetin gjeorgjian, duke nisur nga ora 19:00 me orën e Tiranës.
Kukësi është gati për përballjen me Torpedon e Kutaisit, përtej problemeve burokratike që i kanë shkaktuar atij mungesën e 4 futbollistëve për sfidën e së enjtes në kryeqytetin gjeorgjian. Një garanci të tillë e ka dhënë trajneri Armando Cungu, duke folur në konferencën e zakonshme për shtyp të së mërkurës. Fjalëve të trajnerit u ka bërë jehonë edhe kapiteni Ylli Shameti.
Në fakt, përtej dy përgjigjeve në gjuhën shqipe të dhëna nga Cungu dhe Shameti pas pyetjeve të së dërguarës së posaçme të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar në Tbilisi, Hygerta Sako, pjesa dërrmuese e konferencës për shtyp ka qenë një debat i rrëmujshëm midis medias vendase dhe trajnerit Cungu, i cili ka qenë mjaft i drejtpëdrejtë në kritikat e tij.
“Ne jemi këtu për të luajtur futboll, ne nuk jemi as politikanë as qeveritarë, – ka thënë ai, dukshëm i irrituar në fytyrë. – Por nuk është e denjë mënyra sesi na keni trajtuar, duke filluar që nga pritja në aeroport e deri tani në këtë konferencë për shtyp. Ne nuk jemi refugjatë, ne jemi një skuadër profesioniste futbolli dhe unë nuk kam parë asnjëherë në karrierën time si trajner, si në Ligën e Kampioneve, ashtu edhe në Ligën e Evropës një trajtim të tillë.”
“Problemet tuaja politike me vendet e tjera të botës nuk besoj se duhet të ndërhyjnë në futboll. Unë nuk kam ardhur këtu të merrem me problemet tuaja politike, por të bëj një punë, prandaj, nëse keni pyetje për futbollin, jeni të mirëpritur. Përndryshe, për mua kjo konferencë për shtyp merr fund këtu sepse kam një punë për të bërë”, – ka përfunduar Cungu, duke u ngritur më pas në këmbë e duke u larguar nga konferenca për shtyp, për habinë e medias gjeorgjiane bashkë me Shametin.
Takimi Torpedo e Kutaisit-Kukësi luhet të enjten, në kryeqytetin gjeorgjian, duke nisur nga ora 19:00 me orën e Tiranës.