AlbanianSport.com 07/08/2018 22:50
ASNN – Që prej dy ditësh, në prag të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian, që nisin më 15 gusht, ka nisur përgatitjet dhe kombëtarja e volejbollit të meshkujve, e cila drejtohet nga Jani Melka dhe Dritan Bardhi. Herë në parketin e Sallës Sportive “Feti Borova”, por herë dhe në palestër, ndërsa i pari i stolit kuqezi, për RTSH Sport do të pohonte: “Nuk është një periudhë edhe aq e mirë dhe kjo është e kuptueshme pasi djemtë vijnë pasi e kanë patur mendjen tek pushimet verore”.
“Megjithatë, Federata na ka dhënë përsëri mundësinë të grumbullohemi në kushte mjaft të mira, do të thoja, por periudha është pak më e shkurtër sesa herët e tjera për një fazë të plotë përgatitore, – thekson ai. – Kemi bërë disa ndryshime të vogla, jo për arsye të lojtarëve, por për disa probleme të vogla që ata vetë kanë patur, me dëmtimet e të tjera. Programi para se të futemi në Eliminatoret e Evropianit, që është një eveniment shumë i rëndësishëm ku Shqipëria, në mos gaboj, merr pjesë për herë të dytë, është i mirë.”
“Federata na ka dhënë mundësi të bëjmë stërvitje dhe ndeshje miqësore me Maqedoninë në Maqedoni për 3-4 ditë dhe besoj se ky është testi i fundit dhe përcaktues përpara se të shkojmë tek ndeshja e parë me Portugalinë”, – ka vijuar trajneri kuqezi. Menjëherë pas Ligës së Evropës, kombëtarja e volejbollit të meshkujve ka marrë pjesë dhe në Lojërat Mesdhetare në Tarragona, atje ku u mund 0-3 nga Tunizia dhe Turqia.
E Melka, për arsyet e tij, nuk ka qenë i pranishëm në këtë veprimtari, ndërsa e ka marrë dhe informacionin për paraqitjen e kuqezinjve. “Me pak kujdes mund të kishim arritur rezultate më të mira, – analizon trajneri. – Nuk po themi të fitonim me Turqinë, por me Tunizinë duhet të merrnim një rezultat më të mirë. Megjithatë, kjo kaloi tashmë dhe Lojërat Mesdhetare nuk e kanë rëndësinë e Eliminatoreve të Evropianit dhe të Ligës së Evropës.”
“Këto dy të fundit janë me më tepër rëndësi dhe ne jemi përqendruar që të bëjmë më të mirën”, – shton Melka. Portugalia, Austria dhe Kroacia janë kundërshtarë e kuqezinjve në Eliminatoret e Evropianit, ndërsa përballë tyre Shqipërisë e volejbollit të meshkujve synon të jetë dinjitoze. “Portugalia nuk merrte pjesë në Ligën e Argjendtë të Evropës, por ishte një shkallë më lart dhe kjo tregon edhe nivelin e saj, – thotë ai. – Kroacia doli e para dhe e fitoi Ligën e Argjendtë të Evropës, ku luajtëm edhe ne.”
“Me Austrinë nuk kemi luajtur, por nga informacioni që kemi marrë, ka elementë shumë të mirë që luajnë edhe në kampionatin italian, – vijon Melka.- Do t’ia studiojmë, për aq sa do të na lejojë koha, nga ana teorike dhe taktike dhe do të përpiqemi të hartojmë strategjinë tonë, për t’u munduar të paraqitemi sa më mirë.”
Në ndeshjet e Ligës së Evropës, atje ku tanët luajtën përballë Bjellorusisë, Hungarisë dhe Kroacisë u arritën një fitore dhe pesë humbje. E duke e analizuar atë paraqitje për të bërë më të mirën në këtë veprimtari, atëherë Melka thotë: “Luajtëm 6 ndeshje dhe morëm vetëm një fitore, por, përtej kësaj, grumbulluam 5 pikë. Por, në një grup të vështirë si i yni, ku luajtën edhe finalistet eventuale të Ligës së Evropës, unë besoj se pjesëmarrja dhe paraqitja jonë në këtë veprimtari ishte pozitive.”