AlbanianSport.com 06/08/2018 19:50
ASNN – Izmir Smajlaj është kualifikuar për në finalen e garës së kërcimit së gjati për meshkuj, në Kampionatin Evropian të Atletikës, që po mbahet në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin. Shkodrani, i cili është kampioni në fuqi i Evropës në salla të mbyllura, u rendit i shtati në baterinë A eliminatore, ku kërceu 7.71 metra. Kjo ishte prova e parë që i siguroi finalen Smajlajt, pasi në të dytën dështoi, ndërsa e treta ishte më e dobët, vetëm 7.6 metra.
Gara finale do të zhvillohet ditën e mërkurë, duke filluar nga ora 19:40. Kështu, Izmir Smajlaj e nis mirë Evropian e Atletikës që po zhvillohet aktualisht në Gjermani. Smajlaj u kualifikua për në fazën finale të kësaj disipline, aty ku do të synojë të ngjitet në podiumin kontinental. Sportisti shkodran, që garon në kërcimin së gjati, nuk u sforcua shumë në baterinë eliminatore të grupit A, duke qëndruar brenda limitit që të çon në provën e fundit.
Izmir Smajlaj kërceu 7 metra e 71 centimetra në “Olimpiastadion” të Berlinit, duke dalë i 7-ti në baterinë e tij. Por, rezultatet e rivalëve e cënuan disi provën e shqiptarit. Madje, ai u kualifikua si vendi i fundit mes finalistëve, me vendin e 12-të. Atleti shkodran, i cili është mbajtësi i rekordit kombëtar me 8.08 m, tani do të synojë të arrijë podiumin në mbrëmjen e 8 gushtit, në po të njëjtin stadium. Shqipëria përfaqësohet në Kampionatin Evropian edhe me një tjetër sportiste.
Luiza Gega do të garojë në 3,000 metra me pengesa, fillimisht në baterinë eliminatore, më 10 gusht. Nëse atletja kuqezi arrin të kualifikohet, ajo do të diskutojë një vend në podium në finalen e 12 gushtit 2018.