AlbanianSport.com 06/08/2018 13:20
ASNN – Me zhvillimin e ndeshjes, të dielën paradite, me inferiorët vendas të Levski Karlovos, skuadra rikthyer në Kategorinë Superiore, Kastrioti i Krujës, ka mbyllur ndeshjet miqësore në Bullgari. Siç njofton dhe faqja e klubit krutan në Internet, kjo miqësore ka përfunduar me rezultatin e barabartë 2-2. Krutanët kanë kaluar dy herë në epërsi, fillmisht me anë të Mziut, që realizon në minutën e 43-të dhe pjesa e parë mbyllet 1-0. Dhe, pas shënimit të golit të barazimit nga skuadra vendase në të 46-ën, vjen dhe goli i epërsisë krutane, një minutë më pas, me anë të Shehit.
Goli i barazimit, që vulosi dhe rezultatin e ndeshjes ka ardhur disa minuta, në të 54-ën. Në një prononcim dhënë pas ndeshjes, numri një i stolit krutan, Elvis Plori, pohon se ishte një takim i interpretuar mjaft mirë nga futbollistët e tij. Dhe pse pranon se niveli i kundërshtarit nuk ishte në lartësinë e dy kundërshtarëve të mëparshëm, loja e tyre ka qenë në lartësinë e duhur. Në vijim të prononcimit të tij, në lidhje me zhvillimin e ndeshjes së fundit, kreu i stolit krutan, mes të tjerash, tha: “Pjesën ë parë e dominuam plotësisht.”
“Kemi humbur shumë raste për shënim, duke u shpërblyer me shënimin e vetëm një goli në pjesën e parë, – ka deklaruar Plori. – Në pjesën e dytë u bënë rreth 6 ndryshime, loja sikur pësoi rënie, por pavarsisht kësaj, skuadra prodhoi lojë e, për rrjedhojë, krijoi shumë raste për shënim.” Trajneri shkodran, i cili do të drejtojë skuadrën krutane në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ndihet i kënaqur jo vetëm me përgatitjet, por dhe me prezantimin e skuadrës së tij në ndeshjet përgatitore.
“Jam i kënaqur me këtë fazë përgatitore që bëmë dhe futbollistët kanë marrë ngarkesa të duhura, – ka theksuar trajneri i ekipit krutan. – Ndeshjet e zhvilluara këtu (në Bullgari) ishin barometri i përgatitjeve që kemi bërë këtu.” Plori ka shtuar në mbyllje se drejtuesit e klubit nuk do të rrinë duarkryq, por në ditët në vazhdim do të ketë përforcime të tjera me futbollistë cilësorë. Skuadra e Kastriotit do të kthehet në Shqipëri më datë 7 gusht 2018.