AlbanianSport.com 02/08/2018 10:40
ASNN – Moto GP rikthehet këtë fundjavë në ekranin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar me provat e lira dhe garën e Çmimit të Madh të Republikës Çeke në Bërno. Në prag të kësaj gare, skuadra e “Hondës” ka deklaruar se nuk e ka ende të qartë sesa kohë do t’i duhet Horhe Lorenco të përshtatet me motorin e tij të ri të sezonit të ardhshëm. Ajo ishte një nga lëvizjet më të bujshme të së ashtuquajturës “merkato” të Moto GP-së, por edhe vetë protagonistët e pranojnë se vetëm një fakt i tillë nuk është garanci për sukses.
Për këtë arsye, edhe vetë skuadra e “Hondës” nuk e ka ende të qartë sesa kohë do t’i duhet Horhe Lorenco të përshtatet me motorin e tij të ri të sezonit të ardhshëm. Kreu i skuadrës japoneze, Alberto Puig, e pranoi një gjë të tillë ku pyet sesa kohë do t’i duhet spanjollit për t’i përshtatur kur të zhvendoset nga “Dukati” tek “Honda”. Lorenco e bën këtë zhvendosje pas dy sezonesh të dobëta në Moto GP, aty ku vitin e shkuar nuk fitoi asnjë garë, ndërsa vetëm muajin e shkuar arriti të merrte kreun e podiumit në Muxhelo, duke vijuar ta përërisë këtë sukses edhe në Barcelonë.
Por, këto dy fitore erdhën shumë vonë, pasi “Dukati” kishte vendosur ta zëvendësonte spanjollin me Petruçin. “Lorenco ka fituar 3 tituj kampion në “Moto GP”, por ne besojmë se ai ka potencialin për të arritur rezultate të mira me motorin tonë“, – tha Puigu, duke vijuar: “Ne presim që ai të përpiqet të arrijë në nivelin e garimit dhe të fitimit të garave, siç ka bërë në të shkuarën. Por kurrë nuk mund ta dish sesi një pilot i përshtatet motorit, sepse ngandonjëherë është e lehtë dhe ngandonjëherë jo. Iu desh atij një kohë e gjatë që të përshtatej dhe ta kuptonte “Dukati”-n.”
“Por, sapo u përshtat, ai fitoi dy gara radhazi”, – shtoi kreu i skuadrës japoneze, cili theksoi në vijim se pritshmëritë janë të larta për spanjollin, ndonëse asgjë nuk mund të thuhet sa i përket asaj se sa i shpejtë do të jetë ai me motorin e ri dhe kur do ta arrijë këtë. “Por ne besojmë se, me potencialin dhe karrierën e tij, ai nuk po vjen tek “Honda” vetëm për të mbetur në pistë”, – tha Puigu. Lorenco zëvendëson tek “Honda” bashkëatdhetarin Dani Pedrosa, që tërhiqet nga ky sport në 2019-ën, dhe kreu i skuadrës japoneze tha se fakti që të dy kanë një stil të përafërt garimi mund ta ndihmojë përshtatjen e Lorenzos me motorin e ri.