AlbanianSport.com 15/07/2018 19:25
ASNN – Franca është shpallur të dielën për herë të dytë “kampione e botës”, pasi ka triumfuar në finalen e “Rusi 2018”, duke mundur Kroacinë 4-2. Në fakt, përtej idesë që krijon rezultati përfundimtar, kjo finale u vendos nga episodet dhe nga racionaliteti i përfaqësueses franceze, që ishte më cinike dhe pragmatiste, përballë një Kroacie që luajti dhe guxoi, por u ndëshkua nga mungesa e përvojës.
Kampionati i 21-të Botëror i Futbollit ka ulur të dielën në mbrëmje siparin në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, me finalen e madhe, aty ku Franca ka dëshmuar se rëndësi ka rezultati më shumë sesa loja dhe duke u kurorëzuar për herë të dytë kampione e botës, saktësisht 20 vjet pasi e kishte arritur për herë të parë këtë sukses në shtëpi. Francezët kanë mundur 4-2 Kroacinë në sfidën e luajtur në Stadiumin “Luzhnjiki”.
Përtej përshtypjes që të krijon rezultati përfundimtar, kjo finale u vendos nga episodet dhe nga racionaliteti i përfaqësueses franceze, që ishte më cinike dhe pragmatiste, përballë një Kroacie që luajti dhe guxoi, por u ndëshkua nga mungesa e përvojës. Franca do të kalojë në epërsi pas 18 minutash lojë, falë një devijimi të pafat në rrejtën e vet të Manxhukiçit.
Por kroatët do të reagojnë dhe do të barazojnë shifrat vetëm 10 minuta më pas, me anë të Perishiçit. Megjithatë, 10 minuta më pas do të vijë edhe episodi që do të përcaktojë fatin e ndeshjes, pasi gjyqtari Pitana do të akordojë, pas konsultimit me Sistemin e Ndihmësgjyqtarit të Videos një 11-metërsh për një prekje të topit me dorë brenda zone të kroatëve.
Grizman nuk gabon nga pika e bardhë dhe shënon, duke e rikthyer Francën në epërsi. Me këtë epërsi minimale të francezëve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta nis me një lojë sulmuese të kroatëve, por edhe me skuadrën e trajnerit Didië Deshomp që rrezikon nëpërmjet kundërsulmit. Dhe 6 minutat, nga ai i 59-të, deri në të 65-të, do të rezultojnë fatale për kroatët.
Kjo, pasi Franca do të shënojë dy herë, fillimisht, me anë të Pogbasë. Në një mënyrë të ngjashme do të gjejë golin e 4-t edhe Mbape, i cili vulos praktikisht triumfin e francezëve. Kroacia do ta gjejë edhe një herë rrugën e rrjetën në minutën e 69-të, falë një gabimi të portierit Loris. Por është shumë pak dhe shumë vonë, pasi Franca fiton 4-2 dhe trajneri i saj, Didie Dëshomp, i bashkohet Mario Zagallos dhe Franc Bekenbauerit si njeriu që e ka fituar Botërorin edhe si lojtar, edhe si trajner.