AlbanianSport.com 15/07/2018 17:45
ASNN – Tenisti serb, Novak Gjokoviç, e mbyllur gjithçka në 3 sete në finalen e “Uimbëlldonit ndaj afrikanojugorit Kevin Anderson, duke ia shtuar triumfin e tij të këtij viti atyre të arritur në 2011-ën, 2014-ën and 2015-ën. Ai ngjitet kështu në vendin e 4-t të renditjes historike të “Grand Slam”-eve, duke lënë prapa Roi Emersonin dhe duke iu afruar listës që kryesohet nga Federeri me 20 turne madhorë, Nadali me 17 dhe Samprasi me 14.
Novak Gjokoviç fitoi të parin turne madhor në më tepër se dy vjet në tenisin e meshkujve, duke mundur të dielën në 3 sete Kevin Andersonin dhe duke fituar për të 4-tën herë trofeun e “Uimbëlldon”-it. Tenisti serb, që mban aktualisht vendin e 12-të, fitoi 6-2, 6-2, 7-6 (7-3 me tajbrek në setin e fundit) ndaj rivalit afrikanojugor, duke siguruar njëkohësisht edhe triumfin në turneun e 13-të madhor, që në gjuhën e tenisit njihen si “Grand Slam”-e, por i pari për të që nga triumfi në “Roland Garros” në 2016-ën.
Në fakt, ndryshe nga gjysmëfinalet, ku Andersoni pati një betejë mbi 6 orë e gjysmë ndaj Xhon Isnerit, por edhe Gjokoviçi fitoi pas mëse 5 orësh në një duel epik me Rafael Nadalin, finalja nuk pati shumë histori pasi 31-vjeçari serb e kontrolloi plotësisht ndeshjen, duke e marrë setin e parë në vetëm 29 minuta. Edhe seti i dytë nuk ka qenë më ndryshe, duke u mbyllur po 6-2, por vetëm pak minuta më i gjatë, ndërsa afrikanojugori do të ringjallet disi në setin e 3-të, kur kryesoi 5-3.
Por Gjokoviçi i mohoi Andersonit 5 mundësi për ta fituar setin, duke bërë që gjithçka të vendoset nga loja shtesë, që njihet ndryshe si “tajbrejk”. Dhe serbi fitoi 7-3, duke e mbyllur gjithçka në 3 sete dhe duke ia shtuar triumfin e tij të këtij viti atyre të arritur në 2011-ën, 2014-ën and 2015-ën. Ai ngjitet kështu në vendin e 4-t të renditjes historike të “Grand Slam”-eve, duke lënë prapa Roi Emersonin dhe duke iu afruar listës që kryesohet nga Rozher Federer me 20 turne madhorë, Rafael Nadal me 17 dhe Pit Samprasi me 14.