AlbanianSport.com 15/07/2018 15:05
ASNN – Finalja e Botërorit nuk ka qenë e vetmja që ka përcjellë emocione këtë të diel në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, sepse para saj është zhvilluar në Gjermani edhe gara e radhës në Moto GP. Mark Markez ka triumfuar në një betejë strategjish në pistën e Saksenringut, duke fituar në garën e 9-të të këtij sezoni, ndërsa podiumin e plotësoi dyshja e “Jamaha”-s, Valentino Rosi dhe Maverik Vinjales.
Ishte gara e 9-të e këtij sezoni dhe ai nisej për herë të 9-të radhazi nga vendi i parë në pistën e Saksenringut, aty ku të dielën ka fituar për të 9-tën herë Çmimin e Madh të Gjermanisë. Ky është me pak fjalë kampioni në fuqi i botës, Mark Markez, i cili triumfoi në një betejë taktike në garën që shënoi fundin e gjysmës së parë të nivelit më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, që njihet si Moto GP.
Piloti i “Repsol Hondës” ka shkruar një tjetër kapitull të historisë në Çmimin e Madh të Gjermanisë, mbërritur i pari në finishin e Saksenringut, nga ku është i nisur 9 herë nga vendi i parë, duke marrë kështu 9 fitore radhazi në të gjitha kategoritë e këtij kampionati. Edhe pse e humbi vendin e parë në nisje, Markezi u rikthye dalëngadalë sërish në krye, duke e mbyllur garën me kohën 41 minuta, 5 sekonda e 19 të mijëtat.
Ndërsa vendin e dytë e mori veterani Valentino Rosi, i cili mbërriti në finish 2 sekonda e 196 të mijëtat me “Jamaha”-n e tij. Në një fund interesant të kësaj gare, vendin e 3-të e rrëmbeu piloti tjetër i “Jamaha”-s, Maverik Vinjales, i cili ishte 2 sekonda e 776 të mijëtat më i ngadaltë sesa shoku i tij i skuadrës. Moto GP-ja bën pushimin e verës, për t’u kthyer më 5 gusht 2018 në Çmimin e Madh të Republikës Çeke në pistën e Bërnos.
Markez kryeson renditjen e përgjithshme të pilotëve, me 165 pikë, i ndjekur nga Valentino Rosi, me 119 pikë dhe shoku i tij i skuadrës së “Jamaha”-s, Maverik Vinjales, me 10 pikë më pak. Sikundër i gjithë ky sezon, edhe gara e Gjermanisë erdhi për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1.