AlbanianSport.com 12/06/2018 16:10
ASNN – Federata Botërore e Automobilizmit (FIA) shpreson që brenda kësaj jave të arrihet një marrëveshje përfundimtare për rregulloren aerodinamike të Formula 1 për vitin 2019 dhe është e gatshme ta shtrojë me forcë këtë çështje nëpërmjet direktivave teknike, nëse skuadrat nuk do të bien dakord. Paketa e re aerodinamike, e cila është hartuar nga Formula 1 dhe FIA, me synim përmirësimin e parakalimit, u votua fillimisht më 30 prill të këtë viti, që ishte edhe afati i fundit për ndryshimet e rregullores që bëhen pa miratimin e të gjithë skuadrave.
Që nga ajo kohë janë zhvilluar një sërë diskutimesh dhe takimesh dhe versioni i rishikuar është gati, por duhet miratimi i njëzëshëm i 10 skuadrave që ai të hyjë në fuqi. “Ne duhet t’ia kemi nisur të gjitha skuadrave versionin e rishikuar të rregullores të hënën ose të martën, mbështetur mbi atë që na kanë sugjeruar disa prej skuadrave”, – tha drejtori i garave në FIA, Çarli Uiting. – Pastaj do të shohim nëse të gjithë janë të kënaqur me këtë version.”
“Përndryshe, nëse nuk biem dakord me versionin e rishikuar, janë një sërë direktivash teknike që ne do të ndërmarrim, për të sqaruar disa nga pjesët ku njerëzit nuk janë të qartë”, – ka shtuar ai Janë një numër aspektesh sa u përket ndryshimeve të makinave për vitin që vjen dhe skuadrat po bëjnë rezistencë në përputhje me teknologjinë që kanë adoptuar dhe me atë që synojnë të marrin në pistë. Siç dihet, ky sezon, sikundër edhe dy sezonet e tjera pas tij, po vjen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.