AlbanianSport.com 11/06/2018 19:00
ASNN – Përfaqësuesja e Francës ka mbërritur në Rusi të hënën, duke synuar ta fitojë sërish trofeun e kampiones së botës, pikërisht 20 vjet pasi pati triumfuar në shtëpinë e saj në Botërorin e 1998-ës.
Me një skuadër të mbushur me futbollistë të spikatur si sulmuesit Antuan Grizman, Kilian Mbape apo Pol Pogba, francezët zbarkuan në Moskë, përpara se të vijonin në kampin e tyre stërvitor në një pyll në Istra, në periferi të kryeqytetit rus.
Franca nuk shkoi dot më larg se një barazim 1-1 në ndeshjen e fundit përgatitore të shtunën në Lion, duke iu falur një goli të Mbapesë në minutën e 78-të për të shpëtuar nga humbja përballë një skuadre të re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Skuadra e trajnerit Didië Deshomp do të përballet me Australinë në ndeshjen e parë në Grupin C të shtunën në Kazan, përpara se të përballet në takimet e tjera me Perunë dhe Danimarkën.
Franca e fitoi Botërorin që e organizoi vetë në 1998-ën, teksa përfaqësuesja e udhëhequr nga Zinedin Zidan mundi Brazilin 3-0 në finale.