AlbanianSport.com 11/06/2018 18:05
ASNN – Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka nënshkruar sot dy memorandume bashkëpunimi me mundësit Edon dhe Egzon Shala, për shpenzimet e përgatitjeve të sportistëve në fjalë për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, thuhet në njoftimin e Ministrisë në fjalë.
Në bazë të memorandumit parashihet që sportistët të përfitojnë nga 10 mijë euro secili. Memorandumi bëhet me qëllim të mbështetjes financiare për përgatitjen e sportistëve si kandidatë potencialë për arritjen e normës olimpike dhe rezultateve kulmore për pjesëmarrje në “Tokio 2020”.
Mjetet financiare mundësit do t’i shfrytëzojnë për akomodim, stërvitje dhe ushqimet specifike që janë të parapara për sportistë. Gashi tha se me këtë përkrahje të drejtpërdrejtë për dy mundësit, MKRS-ja po tregon se gjendet gjithmonë pranë sportistëve që kanë talent.
Por, në të njëjtën kohë, ata tregojnë gatishmëri për të arritur suksese dhe rezultate në sportet e tyre përkatëse. Mundësit Edon dhe Egzon Shala e falënderuan ministrin dhe MKRS-në për këtë mbështetje dhe u zotuan se do të japin maksimumin për të prezantuar veten dhe shtetin e Kosovës.