AlbanianSport.com 11/06/2018 11:40
ASNN – Goli i 55-të i Nejmarit me fanellën e Brazilit, i realizuar në fitoren 3-0 të së dielës në Vjenë ndaj Austrisë, e ka barazuar atë me Romarion në listën e golashënuesve më të mirë në histori, ku përpara tyre tanimë janë vetëm dy gjigandë si Pele dhe Ronaldo. “Unë nuk i di kufinjtë e Nejmarit”, – deklaroi trajneri i Brazilit, Tite, teksa amerikanolatinët zbarkuan në Rusi. – Kapaciteti i tij teknik dhe fantazia e tij janë mbresëlënëse.”
Skuadra e Brazilit ka mbërritur në Rusia të hënën teksa ylli i skuadrës, Nejmari, duket se e ka marrë veten nga një frakturë e një kocke të këmbës. “Selesao” nis kështu misionin në kërkim të titullit të 6-të të kampiones së botës dhe brazilianët kanë zbarkuar në orët e para të mëngjesit në Soçi, në kampin e tyre stërvitor buzë Detit të Zi. Të dielën, Brazili mposhti Austrinë 3-0 në ndeshjen e fundit përgatitore në prag të Botërorit “Rusi 2018”.
Dhe Nejmari e festoi përfshirjen në 11-shen e parë të një skuadre pas më tepër se 3 muajsh, duke shënuar në fitoren e pastër të arritur në Viena, ndërsa golat e tjerë u shënuan nga Gabriel Zhezus dhe Filipe Kutinjo. Ai ishte goli i 55-të i Nejmarit me fanellën e Brazilit, duke e barazuar atë me Romarion në listën e golashënuesve më të mirë në histori, ku përpara tyre tanimë janë vetëm dy gjigandë si Pele dhe Ronaldo. “Unë nuk i di kufinjtë e Nejmarit, – deklaroi trajneri i Brazilit, Tite. – Kapaciteti i tij teknik dhe fantazia e tij janë mbresëlënëse. Po ta nxjerrim atë në një 1/3-ën fundore të fushës, ai nuk të fal.” Brazili, që u eliminua turpshëm nga Gjermania në atë humbje 1-7 në shtëpi, e nis fushatën e Botërorit të dielën me sfidën me Zvicrën. Nejmari, lojtari më i shtrenjtë i botës, iu bashkua yjeve të tjerë si Lionel Mesi i Argjentinës dhe Kristiano Ronaldo i Portugalisë, duke shkelur në tokën ruse, teksa orët rendin drejt ndeshjes hapëse të së enjtes midis vendit organizator dhe Arabisë Saudite.