AlbanianSport.com 11/06/2018 07:05
ASNN – Franko Burraj, përfaqësuesi i vetëm i atletikës shqiptare në Kupën e Mesdheut për moshën deri në 23 vjeç në Xhesolo të Italisë, është i fundit në finalen e 400 metrave. Shkodrani, që ka për trajner Bruno Rrotanin, të shtunën është skualifikuar në 200 metra, sepse e ka nisur garën pa u dhënë starti. Kurse në 400 metra me 47”67 është në vendin e 6-të dhe i kualifikuar për në finale.
Edhe për shkak të kohës që kishte, Burraj është vendosur në korsinë e 8-të. E ka nisur fort garën, teksa ka kryesuar deri në 250-300 metra. Më pas është arritur nga të tjerët e për rrjedhojë me 47”08 është në vendin e 8-të. Vendi i parë i takuar tunizianit Ilasi me kohën 45”55, që ishte dhe rekordi i Kupës së Mesdheut. Në vendin e dytë ishte italiani Korsa, me kohën 45”79, dhe, në vendin e tretë, algjeriani Mula, me kohën 45”96.
E vërteta është se ka pasur distancë mes 5 të parëve dhe treshes së fundit, atje ku ishte dhe Burraj, ndërsa këto të fundit janë ndarë me njëri-tjetrin me një deri në 5 të qindtat. Në përgjithësi një garë e mirë për Burrajn në Xhesolo.