AlbanianSport.com 10/06/2018 21:40
ASNN – Me mijëra njerëz u mblodhën në Kuvendin e Kosovës për t’ia bërë nderimet e fundit legjendës së sportit të Kosovës, Fadil Vokrri. Ceremonia e organizuar shtetërore e Homazheve në nder të ish-kryetarit të FFK-së, Vokrrit, nisi rreth orës 12:00. Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, të pranishëm ishin një numër i madh i figurave politike, kulturore dhe sportive.
Pati trajnerë, futbollistë e bashkëlojtarë të sulmuesit më të mirë në histori të futbollit të Kosovës. Ekipet e Kosovës në futboll, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, erdhën të organizuara, ndërsa pati edhe zyrtarë të basketbollit. Figurat më të njohura nga FIFA ishte Zëvendës-Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, kroati, Zvonimir Boban, dhe Zoran Lakoviq, zyrtar i lartë i UEFA-s.
Legjenda e futbollit kroat, Zvonimir Boban, cilësohet si një legjendë e Milan, pasi ai ka fituar 4 tituj kampion dhe 1 Ligë Kampionesh. “Erdha për të ngushëlluar familjen e Vokrrit, – ka thënë ai. – Më duhet të sjellë edhe ngushëllimet e (presidentit të UEFA-s) Çeferinit. Jemi takuar më rrallë vitet e fundit, por ka Fadil Vokrri qenë një njeri i madh. Shpresoj të takohemi në botën tjetër dhe të luajmë futboll.”
Nga ora 14:00, nisi edhe mbledhja komemorative e Kuvendit të Kosovës. Fjalëpak, por emocional ishte i biri i legjendës, Vokrrit, Gramoz Vokrri, që përloti të pranishmit. Fjalën më pas e morën Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli. Vazhduan me fjalët më të përzgjedhura më pas Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, kryetari i KOK-ut Besim Hasani, dhe i pari i FSHF-së, Armand Duka.
Largimin nga jeta të Fadil Vokrrit e ka pritur rëndë edhe kapiteni i përfaqësueses së Kosovës, Samir Ujkani. Vokrri la prapa bashkëshorten Editën dhe tre fëmijët, Gramozin, Albertin dhe Albanën.