AlbanianSport.com 10/06/2018 20:45
ASNN – Amerikano-latinët nisen nga Montevideo drejt Njizhni Novgorodit, Godin: “Ndeshja e parë, vendimtare”. Uruguai ndodhet në grupin A të Botërorit “Rusi 2018”, së bashku me përfaqësuesen vendase, me Egjiptin dhe Arabinë Saudite. Kanë qenë të shumtë tifozët që e kanë përcjellë përfaqësuesen e vendit, e cila është nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar “Karrasko”, në Montevideo, drejt Njizhni Novgorodit në Rusi, ku do të vendosen gjatë këtij Botërori.
Tifozët kanë qenë të të gjitha moshave dhe kanë sfiduar edhe orarin e vonë të nisjes për t’u përcjellë futbollistëve të përfaqësueses mbështetjen dhe urimet për një paraqitje sa më dinjitoze. “Duke e ditur rëndësinë e ndeshjes së parë, edhe pse ëndrrat e popullit uruguaian janë të mëdha, realiteti tregon se sfida kryesore që na pret është të fitojmë ndeshjen e parë me Egjiptin dhe kjo është gjëja kryesore, në funksion të synimit madhor të kalimit të grupit”, – tha kapiteni Diego Godin.
Ndërsa futbollisti tjetër i përfaqësueses, Matias Vesino, ishte i prekur nga përcjellja që po i bënin tifozët. “Ka plot energji pozitive dhe e ndjen dashurinë e njerëzve”, – tha ai, duke vijuar: “Gjithmonë na e kanë shfaqur këtë dashuri, edhe në stadium dhe kjo është shumë pozitive. Ne e dimë që është një përgjegjësi e madhe dhe duhet të bëjmë më të mirën tonë.” Elizabetë Sauso, një tifoze 63-vjeçare tha se tifozët ishin aty për të mbështetur Uruguain.
“Për t’u dhënë lojtarëve kurajo dhe forcë dhe për t’u thënë se nuk janë vetëm”, – shtoi ajo. Kurse Irma Baladani, një tifoze 88-vjeçare, ka një kërkesë të veçantë. “Sot jam 88 vjeç dhe kam lindur në vitin 1930, kur Uruguai fitoi Botërorin për herë të parë dhe shpresoj që të na sjellë edhe një dhuratë tjetër të tillë në të ardhmen”, – tha ajo. Uruguai ndodhet në grupin A të Botërorit “Rusi 2018”, së bashku me përfaqësuesen vendase, me Egjiptin dhe Arabinë Saudite.