AlbanianSport.com 10/06/2018 18:55
ASNN – Kosova i ka bërë sot homazhet e fundit legjendës së futbollit, Fadil Vokrri, i cili u nda papritur nga jeta të shtunën paradite, në moshën 57-vjeçare. Trupi i pajetë i legjendës së futbollit të Kosovës është vendosur në hollin e Kuvendit në Prishtinë dhe homazhet, të cilat kanë nisur në ora 12:00 dhe kanë vazhduar deri në ora 13:30.
Ndërkaq, nga ora 14:00 deri në orën 15:00 është mbajtur një Mbledhje Komemorative e Kuvendit të Kosovës në nderim të figurës së Vokrrit. Varrimi në varrezat e qytetit në Prishtinë është bërë në ora 17:00. Legjenda e futbollit të Kosovës dhe kryetari i Federatës së Futbollit (FFK) u nda dje në mëngjes nga jeta në moshën 57-vjeçare.
Vokrri ndërroi jetë si pasojë e një ataku kardiak, që i ka ka ndodhur rreth orës 9:30 të mëngjesit ndërsa po stërvitej në palestër. Mediat e Prishtinës raportojnë se në urgjencë, Vokrri ka shkuar pa shenja jete. Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë.
Ai shkëlqeu me Llapin, me Prishtinën dhe me Partizanin e Beogradit, por edhe me ekipin përfaqësues të Jugosllavisë. Në shkurt të vitit 2008, mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA.