AlbanianSport.com 19.11.2014 22:55
ASNN – Kupa e Shqipërisë, veprimtaria e dytë për nga rëndësia në futbollin shqiptar, ka njohur gjashtë skuadrat e para çerekfinaliste. Flamurtari, Partizani, Laçi, Kukësi, Vllaznia dhe Apolonia kanë siguruar kualifikimin për në raundin tjetër, duke kaluar me sukses edhe ndeshjet e kthimit në turin e dytë.
Më të lehtë punën e kishte Flamurtari, pasi kundërshtarët e Veleçikut nuk u paraqitën në ndeshje pas humbjes 6-1 në sfidën e parë. Partizani-Laçi, Vllaznia-Kukësi janë dy çerekfinalet e para të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që çiftet e tjera do të përcaktohen pas ndeshjeve Skënderbeu-Tërbuni dhe Tirana-Bylis.
Partizani me lojtarë rezervë shkatërroi Lushnjën me rezultatin 4-1, një rezultat që i ngre moralin skuadrës së Shpëtim Duros para supersfidës me Kukësin në Kategorinë Superiore. Në turin tjetër të kuqtë do të përballen me Laçin, i cili mposhti 2-0 Elbasanin edhe në ndeshjen e dytë.
Flamurtarit nuk i është dashur të djersisë aspak ndaj Veleçikut, pasi ekipi nga Kopliku nuk u paraqit në ndeshjen e kthimit. Me shumë gjasa kundërshtari i ardhshëm i vlonjatëve do të jenë kampionët e Skënderbeut. Ka fituar edhe Kukësi ndeshjen e kthimit me Pogradecin,.
Verilindorët kanë regjistruar edhe ata emrin e tyre mes skuadrave çerekfinaliste, ndërkohë që Vllaznia barazoi pa gola me Kastriotin dhe kualifikohet falë fitores së parë 4-0 ndaj krutanëve. Dy ndeshjet e tjera do të luhen nesër, ku Skënderbeu dhe Tirana janë shumë pranë kualifikimit.
Korçarët do të presin Tërbunin, ndërsa bardheblutë e kryeqytetit përballen me Bylis.