AlbanianSport.com 10/06/2018 08:50
ASNN – Izmir Smajlaj është kampioni i vendeve të vogla në Kampionatin Evropian, që dje është zhvilluar në Shan të Lihteshtejnit. Përballë vendeve si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Andorra, Armenia, Azerbajxhani, Bosnje-Hercegovina, Qipro, Gjeorgjia, Gjibraltari, Islanda, Lihteshtejni, Luksemburgu, Moldavia, Maqedonia, Malta, Monako dhe San Marino, Smajlaj dhe Murataj, ky i fundit në 400 metra, kanë qenë krenaria e atletikës shqiptare.
Izmir Smajlaj e ka fiksuar vendin e parë në garën e Lihteshtejnit që në kërcimin e parë, teksa ka fluturuar 7.90 metra. Më pas dy faull, ndërsa në tre kërcimet e tjera ishte 7.72 metra, 7.70 metra dhe 7.88 metra. Pretendimet janë për 8.30 metra, ndërsa duhen pritur Lojërat Mesdhetare në fund të qershorit në Tarragona, apo dhe Kampionati Evropian i Berlinit, që zhvillohet nga data 7, deri më 12 gusht 2018. Deri më tani është “kampion Ballkani” në Salla të Mbyllura me 7.80 metra.
Po kështu, në Mitingun Ndërkombëtar të Elbasanit ishte 7.88 metra, apo në Kampionatin Kombëtar në fundin e majit, po në Elbasan, 7.87 metra. Pra kjo e djeshmja do të thotë rritje rezultati për të pretenduar dhe më shumë. Menjëherë pas përfundimit të garës, teksa është kampioni i shteteve të vogla në Evropë, ai nuk ka munguar të bëjë falënderime. “Një falënderim i veçantë për familjen time dhe trajnerin tim Gjergji Rulin. Kjo për gjithçka që kam arrirë dhe do të arrijë në vazhdimësi”, – ka përfunduar Smajlaj.
Kampionati i Vendeve të Vogla Evropiane 2018
Rezultatet teknike të atletëve shqiptarë në Lihtenshtejn:
110 metra me pengesa Ravio Rama 15”17 i 5-ti
Kërcim së gjati Izmir Smajlaj 7.90 m i pari
Kërcim së gjati Gledis Hallunaj 6.90 m i 9-ti
800 metra Marko Makaj 1’53”47 i 5-ti
800 metra Malvin Nikolla 1’53”88 i 7-ti
400 metra Edmond Murataj 48”22 i 3-ti