AlbanianSport.com 08/06/2018 19:55
ASNN – Do të jetë një duel midis numrit 1 të botës, Rafael Nadal, dhe numrit 5, Dominik Tim, finalja e madhe e Turneut të Tenisit “Roland Garro”, e cila do të luhet të dielën. Ashtu sikundër dy gjysmëfinalet e meshkujve, të premten, por edhe finalja e femrave të shtunën, edhe kjo finale e meshkujve të dielën do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjetin i Radio-Televizionit Shqiptar.
Numri 1 i botës, Rafael Nadal, do të kërkojë të fitojë për të 11-tën herë trofeun e Turneut të Hapur të Francës, të njohur ndryshe si “Roland Garro”, pasi siguroi të premten një fitore të lehtë në 3 sete në gjysmëfinale ndaj numrit 5, Huan Martin del Potro. 32-vjeçari Nadal, fitoi 6-4, 6-1 dhe 6-2, duke siguruar vendin në finalen e së dielës, ku do të përballet me austriakun Dominik Tim, i cili është numri 7 i renditjes botërore.
Spanjolli, i ka humbur vetëm dy herë në 87 ndeshje në “Roland Garro”, e mundi argjentinasin në një ndeshje që zgjati diçka më tepër se dy orë. Nadali është tashmë i dyti mashkull, pas Rozher Federerit, që arrin në 11 finale të të njëjtit turne të “Grend Slem”-eve, siç njihen ndryshe 4 turnetë madhorë të këtij sporti. Ndërkohë, 24-vjeçari Tim, do të luajë në të parën finale madhore të karrierës së tij.
Ai triumfoi gjithashtu në 3 sete përballë italianit surprizë, Marko Çekinato, në gjysmëfinalen tjetër, të luajtur më herët të premten. Megjithatë, fitorja e austriakut nuk ishte aq e lehtë sa ç’sugjerojnë shifrat, pasi italiani luftoi fort në dy setet e para, për t’u dorëzuar vetëm në setin e 3-të. Numri 1 i botës, Nadali, ishte favoriti kryesor për ta fituar këtë turne, të cilin ai e ka dominuar që kur bëri debutimin e tij si adoleshent në 2005-ën.
Dhe loja e tij gjatë turneut të këtij viti ka dëshmuar se ai nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtësisht trofeun e çmuar, që njihet si “Kupa e Moskëtierëve”. Nadali ka humbur vetëm një set deri më tani në “Roland Garros”, por interesant është fakti se në finalen e së dielës ai do të ketë përballë Timin, të vetmin lojtar që e ka mundur atë në fushat me dhe në këto dy vitet e fundit. Të dy fitoret e Timit erdhën në ndeshje me 3 sete në Romë dhe Madrid, por sfida me 5 sete ndaj spanjollit në Paris janë diçka krejt tjetër.