AlbanianSport.com 08/06/2018 09:45
ASNN – Kreu i Kremlinit: “Ato duhet të jenë qendra kulturore dhe sportive për fëmijët dhe të rinjtë”. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në mënyrë të vendosur u tha drejtuesve rajonalë që të mos i kthejnë arenat e Botërorit në tregjet e pleshtave në përfundim të veprimtarisë madhore të futbollit. Hapësira rreth stadiumeve të tilla si “Luzhnjiki” i Moskës ka qenë një treg ku shiteshin, që nga frutat, deri te rrobat, gjatë krizës ekonomike të Rusisë pas sovjetike në vitet 1990.
Por ky treg i mbylli dyert në vitin 2011. Putini tha që kjo gjë nuk duhet të ndodhë më, por stadiumet të kthehen në qendra kulturore dhe sportive. Rusia ka shpenzuar të paktën 4 miliardë dollarë (3.4 miliardë euro) duke ndërtuar ose rinovuar 12 arena në 11 qytete pritëse për organizimin e Botërorit. Kreu i FIFA-s, Xhani Infantino tha në një deklaratë se Rusia ishte “100 % gati” për Botërorin. “E gjithë bota do të shohë se çfarë është një vend mikpritës si Rusia, sa mirë është organizuar gjithçka”, – tha Infantino.
Çështja se çfarë do ndodhë me arenat e mëdha pas datës 15 korrik 2018, është kërcënuese për Rusinë. Qyteti mikpritës Soçi nuk kishte as edhe një klub futbolli derisa një pjesë e divizionit të dytë u zhvendos atje këtë javë. Të tjerët, që nuk kanë ekipe që luajnë në kategoritë e para, tërheqin vetëm disa mijëra njerëz në ditët më të mira. Presidenti Putin foli edhe për çështjen se pse të gjitha stadiumet nuk u bënë të mbyllura.
“Kemi shpenzuar shumë para dhe ne duhet të sigurohemi që e gjithë kjo infrastrukturë të funksionojë në radhë të parë për zhvillimin e sportit, – tha ai. – Ne duhet të krijojmë ekipe për fëmijë dhe të rinj, ligje dhe gara të organizuara. Një stadium modern nuk është thjesht një fushë futbolli. Aty mund të vendoset çdo gjë që dëshironi. Ju mund të instaloni dyqane, kafene, restorante e palestra të posaçme. Por kjo gjë do të varet vetëm nga drejtuesit rajonalë”, – përfundoi Putini.