AlbanianSport.com 08/06/2018 08:50
ASNN – Ina Këlliçi dhe Marsel Peti janë anëtarët më të rinj të Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Taekuondosë në versionin “World”, ndërsa zgjedhja e tyre është bërë dje pasdite në mjediset e Parkut Olimpik të Tiranës. Në këtë asamble të zakonshme nga 14 anëtarë me të drejtë vote, teksa kanë munguar Dinamo, Besëlidhja dhe Korabi, kanë qenë të pranishëm 11. Dhe ndër 11, Këlliçi ka marrë 11 vota dhe Peti 9.
Ndërkohë presidenti i Federatës Shqiptare të Taekondosë World, Genti Malko, tregon dhe arsyen pse këto asamble kaq të shpeshta. “Normalisht, – pranon Malko për RTSH Sport, – është ashtu si thoni ju, pra një asamble vjetore në fund të vitit, atje ku analizohet ana teknike dhe financiare e Federatës. Por kishim një problem me zëvendësimin e dy anëtarëve të kryesisë, shto dhe rregullimet e statutit, që duhen bërë. Ndaj dhe e kryem këtë asamble.”
Mirëpo në logjikë, ashtu sikurse është në listën e deputetëve, atje ku dorëhiqet njëri vjen pasardhësi zëvendëson, edhe në kryesinë e Federatës Shqiptare të Taekuondosë (World) duhet të kishte ndodhur ky fenomen. Bazuar kjo mbi atë listë kandidatësh që kanë qenë në zgjedhjet e 2016-ës. Por Malko tregon: “Ne nuk e kemi në rregullore, apo në statut, që të vijë kandidati pasardhës kur largohet njëri. Dhe mendoj që është më demokratike kështu.”
“Kjo sepse testohet dhe opinioni për ata që do të vijnë si kandidat për kryesinë tonë”, – shtoi ai. Ndërkohë për rregullimet e statutit, që më pas do të shkojë për miratim në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e që do të sjellë dhe regjistrim në gjykatë, Malko do të theksonte se tashmë Federatat kanë më tepër pavarësi. “Ne jemi me një statut të 2003-it, apo 2001-it, mos u gabofsha, atje ku gjithçka e vendoste Ministria e linjës, deri në emërimin e sekretarit”, – sqaron ai.
“Tashmë me ndryshimet e reja mendoj që do të kemi më tepër pavarësi”, thotë Malko, i cili këmbëngul se duhet më tepër marketing për ato veprimtari që bëhen. “Në opinion janë këto katër veprimtari që ju i dini. Por duhet më shumë përpjekje për ta përhapur, sepse po ju them që nuk jemi një Federatë e vogël për nga numri i sportistëve. Pra na duhet më shumë marketing për atë që ne bëjmë”, – ka përfunduar Malko, kurse Kërçiku e Peti janë anëtarët e rinj të Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Taekuondosë (World), të cilët kanë zëvendësuar Ylber Ciliqin dhe Rovena Markun.