AlbanianSport.com 08/06/2018 07:55
ASNN – Përfaqësuesja e Spanjës ka mbërritur në Rusi, për të marrë pjesë në fazën finale të Botërorit të këtij viti. Përpara nisjes futbollistët janë vizituar nga mbreti Filipe VI. Ndeshjen e parë në Botërorin 2018, iberikët do ta luajnë me Portugalinë. Në Rusi ka mbërritur gjithashtu edhe përfaqësuesja e Panamasë. Kampionia e botës, Spanja, dhe debutuesja, Panamaja, kanë mbërritur në Rusi për të marrë pjesë në edicionin e 21 të spektaklit botëror të futbollit.
Spanja ka fituar Botërorin në vitin 2010 dhe është një nga favoritet e turneut për ta përsëritur këtë sukses edhe në Rusi. Ajo nuk është mundur në 19 ndeshje nën drejtimin e trajnerit Lopetegi, i cili e mori drejtimin e përfaqësueses pas “Euro 2016”-ës. Përpara se të niseshin, futbollistët e përfaqësueses së Spanjës u pritën personalisht nga Mbreti Filipe VI.
Ai ka marrë edhe bluzën e përfaqësueses spanjolle me emrin e tij. Spanjollët janë vendosur në qytetin jugor Krasnodar, ndërsa të shtunën e ardhshme do të luajnë ndeshjen e parë në Botëror kundër fqinjes perëndimore, Portugalisë. Ndërkaq, edhe Panamaja ka mbërritur në Rusi. E ndodhur në grupin G, Panamaja do të përballet me Belgjikën, Anglinë dhe Tunizinë.
Përgatitjet e përfaqësueses nga Amerika Qendrore u mbyllën me humbjen 1-0 të mërkurën në Oslo, por me një shije të hidhur jashtë fushës së blertë, teksa dhomat e tyre të hotelit ishin grabitur ndërkohë që ata ishin duke luajtur ndaj përfaqësueses vendase. Policia tha se objektet me vlerë të cilat u ishin marrë futbollistëve shkonin deri në 53 mijë euro.