AlbanianSport.com 07/06/2018 21:10
ASNN – Uzbekistani përfaqësohet në Rusi me një gjyqtar. Për Ravshan Irmatovin, 40 vjeç, ky është Botërori i tretë që gjykon. Në pamundësi për të qenë në Botërorin e Rusisë, Uzbekistani do të përfaqësohet atje me një gjyqtar futbolli. Ravshan Irmatov, 40 vjeç, është diçka si një hero kombëtar, në shtetin e Azisë Qendrore. Duke shkuar në botërorin e Rusisë ku jetojnë të paktën dy milionë emigrantë uzbekë, Irmatov regjistron më shumë ndeshje në Botëror sesa çdo gjyqtar tjetër në historinë e vendit.
Ai konsiderohet gjerësisht si një nga gjyqtarët më të mirë, ndërsa vendi që ai përfaqëson, kurrë nuk e kishte menduar se ai do të shkonte në ngjarjen më të rëndësishme të sportit botëror. “Uzbekistani po i afrohet gjithnjë e më shumë përfaqësimit në një Botëror, – tha Irmatovi, duke folur për agjencinë franceze të lajmeve AFP, ndërsa ishte duke bërë nxemjen përpara një ndeshje të kampionatit vendas në Uzbekistan.
“Njerëzit tanë e duan futbollin dhe presidenti ynë i ri e ka zhvillimin e futbollit një prioritet, – ka këmbëngulur ai. – Kam besim se ne do ta shohim Uzbekistanin në Botëror së shpejti, ndoshta që në Katar në vitin 2022.” Pak i njohur në Evropë para vitit 2010, ai realizoi një rekord për më shumë ndeshje të gjykuara në një turne të vetëm, me 5 të tilla. Irmatov është përzgjedhur gjyqtari më i mirë i Azisë për dy vite nga Konfederata e Futbollit të Azisë.
Ka gjykuar dy herë në finalet e Botërorit të Klubeve, si dhe në ndeshjen hapëse të Botërorit të Afrikës së Jugut në 2010-tën e në gjysmëfinale. Gjatë Botërorit të Brazilit në 2014-ën, ai ka gjykuar gjithashtu. “Një gjyqtar nuk duhet të dalë në fushë me qëllimin që të bëhet njeriu i ndeshjes, – tha ai. – Para së gjithash puna jonë është të ruajmë imazhin e futbollit. Nëse respektojmë shpirtin e sportistëve, sakrificën e tyre dhe i mbrojmë ata nga vendimet e padrejta, atëherë edhe ata do të na respektojnë ne”, – përfundoi Irmatovi.