AlbanianSport.com 07/06/2018 19:20
ASNN – Në mikrofonin e RTSH Sport ka ardhur legjenda e volejbollit dinamovit dhe atij shqiptar, Vangjel Koja, i cili ka qenë më shumë se sa i kënaqur për atë që kombëtaret kanë bërë. “Unë jam shumë i kënaqur me atë që kanë vajzat, sepse e kanë merituar të jenë në fazën finale të Ligës së Evropës”, – ka thënë ai ndër të tjera.
“Për meshkujt do të them që nuk jam dakord me kritikat e medieve, sidomos pas ndeshjes me Hungarinë, sepse dhanë më të mirën e tyre, – ka vijuar Koja. – Mos harroni që luajnë me Kroacinë dhe është një shkollë më vete. Por në përgjithësi jam i kënaqur me ato që kanë dhënë.”
Ndërkaq, Federata Shqiptare e Volejbollit, me në krye presidentin Erlind Pëllumbi, ka shtruar një darkë falënderimi për dy ekipet kombëtare. Kanë qenë shumë të kënaqur me paraqitjen e vajzave dhe kualifikimin e tyre për në Ligën e Evropës, por dhe me paraqitjen e meshkujve.
Madje në përfundim të ndeshjes me Kroacinë, Pëllumbi, së bashku me zëvendëspresidentin Dashamir Brari, por dhe anëtarin e Komitetit Drejtues, Sokol Halili, ka takuar stafin dhe lojtarët e meshkujve. Tashmë aksioni i rrjetës shqiptare do të vazhdojë me 4-shen finale të Ligës së Argjendtë të Evropës për femra.
Ato do të mbahen më 16 dhe 17 qershor 2018 në Nykëping të Suedisë, por janë edhe Lojërat Mesdhetare në Tarragona të Spanjës, që do të mbahen nga 22 qershor-1 korrik 2018, Eliminatoret e Kampionatit Evropian, apo dhe faza finale e Kampionatit Evropian të Nën-19-vjeçareve në shtator në Shqipëri.
Liga e Argjendtë e Evropës
Volejboll – Femra
Grupi B
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Austria 6 5 1 17-6 16
- Shqipëria 6 5 1 15-6 14
- Izraeli 6 1 5 6-16 3
- Gjeorgjia 6 1 5 5-15 3
Gjysmëfinalet:
Estoni – Shqipëri
Suedi – Austri
Liga e Argjendtë e Evropës
Volejboll – Meshkuj
Grupi B
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Bjellorusia 6 5 1 16-4 15
- Kroacia 6 5 1 16-6 14
- Shqipëria 6 1 5 7-16 5
- Hungaria 6 1 5 4-17 2