AlbanianSport.com 07/06/2018 17:30
ASNN – Trajneri i Kombëtares së meshkujve reflekton mbi fazën e grupeve, vlerëson shpirtin e skuadrës: “Besoj se deri këtu bëmë mirë”. Kombëtarja e volejbollit të meshkujve e ka mbyllur në fazën e grupeve pjesëmarrjen, por për trajnerin Jani Melka, skuadra dha maksimumin, ndërsa formula e organizimit të turneut, ishte e lodhshme.
Trajneri kuqezi vlerësoi paraqitjen në ndeshjen e fundit me Kroacinë. Për Melkën, rëndësi kishte se skuadra ishte e përkushtuar deri në fund.Shqipëria e volejbollit të meshkujve u rendit e 3-ta në grupin B, me 5 pikë të grumbulluara në 6 ndeshje, duke lënë prapa Hungarinë.
Jani Melka, trajneri i Shqipërisë në volejboll për meshkuj, sigurisht që nuk ka qenë i kënaqur për humbjen e pestë. “Unë besoj se deri këtu kemi bërë mirë, – ka pohuar ai. – Ka shumë probleme për të zgjidhur, por në tërësi kishim një kundërshtar shumë të përgatitur përpara.”
“Mendoj se ndeshje pas ndeshjes, kjo kombëtare do të vijë duke u rritur, sepse sinjalet u dhanë, – ka këmbëngulur trajneri i kuqezinjve të rrjetës. – Ka qenë e lodhshme kjo Ligë e Evropës me këtë format, me kaq shumë udhëtime dhe ecejake. Por në përgjithësi mirë.”
Ndërkaq, homologu i tij, trajneri i Kroacisë në volejboll për meshkuj, Ivan Rançiç, ka pranuar se pas dy seteve të fituara nga ana e skuadrës së tij, kanë pasur luksin edhe për aktivizim të stolit të rezervave. “Por, sidoqoftë, e rëndësishme është se fituam dhe në finalet e Shkupit do të shkojmë për të fituar trofeun e Ligës së Evropës”, – ka thënë ai.
“Jo vetëm kaq, por një paraqitje të tillë do të mund ta bëjmë dhe në Lojërat Mesdhetare, apo dhe në Eliminatoret e Kampionatit Evropian, ndërsa kjo do të jetë skuadra që do të luajmë në Shkup”, – ka përfunduar Rançiçi.