AlbanianSport.com 05/06/2018 19:15
ASNN – Kristiano Ronaldo është bashkuar me Portugalinë në stërvitje, në përgatitjet për Kampionatin e 21-të Botëror “Rusi 2018”. Ai ka nisur stërvitjen me shokët duke bërë ushtrime me ta e duke u praktikuar me topin. Një nga lojtarët e përfaqësueses së Portugalisë, Zhoao Moutinjo, shpreson që skuadra të përshtatet sa më mirë tashmë që të gjithë lojtarët janë bashkuar në stërvitje.
“Detyra jonë është që të përshtatim aftësitë e secilit në favor të qëllimit që ka skuadra, – tha ai. – Të mundohemi që sa më shpejt të japim lojëra të mira.” Mutinjo e ka vlerësuar praninë e Ronaldos në ekipin përfaqësues, duke e quajtur grupin më të kompletuar. “Grupi ynë tani është i kompletuar tani, – tha futbollisti portugez. – Prania e Kristianos është thelbësore për ne, na bën më të kthjellët, më të sigurt.”
“Ai është një pasuri për ne dhe na ndihmon shumë për të arritur qëllimin tonë kryesor, fitoren”, – theksoi Mutinjo, i cili ka thënë më tej se Ronaldo është lojtari më i mirë në botë. “E kjo gjë është një favor plus për skuadrën e Portugalisë. Ne të gjithë ndjehemi krenarë që kemi në përbërje lojtarin më të mirë në botë. Ky fakt na motivon dhe na bën që të përmirësojmë më shumë lojën tonë drejt objektivit final, arritjen e fitores në çdo ndeshje” – përfundon Mutinjo.