AlbanianSport.com 05/06/2018 18:20
ASNN – Erblira Bici është rekordmenia e volejbollit të femrave, teksa me 32 pikët e shënuara të shtunën në Ens ka mundur “e vetme” Austrinë, 3-2. Mirëpo me modestinë që e karakterizon, ajo thekson thotë në intervistën e saj për RTSH Sport, se është fryt i të gjithë skuadrës.
Madje kombëtaren e femrave, gjithnjë sipas asaj që deklaron Bici, e dallon forca e grupit, atje ku i jepet dora asaj që është keq, si dhe lihet të luajë ajo që është mirë. Shpresohet për fitore ndaj Gjeorgjisë dhe vetëm më pas do të mendohet për fazën finale të Ligës së Evropës, grupi i argjendtë.
Ja dhe intervista e Erblira Bicit, që AlbanianSport.com Ekspres po e sjell të plotë.
– 32 pikë të shënuara me sulm, e vetme ke mundur Austrinë. Si ia arritët?
– Ah, jo e vetme! Me shoqet gjithmonë. Luajtëm të gjitha bashkë, fitoi grupi dhe ishim gjithë kohës me moralin e fitoreve. Edhe pse humbëm dy setet e para, nuk humbëm besimin për ta fituar atë ndeshje. Kjo ishte një shenjë e mirë, që do të thotë se dhe mund t’ia dalim, pavarësisht se mund të jemi në disavantazh, apo poshtë kundërshtarit. Pas kësaj fitoreje me Austrinë, shpresojmë të ecim akoma më mirë në ndeshjet e radhës, kurse ai takim tregoi se ishte një ditë e keqe ajo që ndodhi më 23 maj në Tiranë.
– Është e vështirë të rikuperosh kur ke dy sete të humbura?
– Shumë e vështirë. Është shumë e rrallë që të ndodhi, skuadra që e bëjnë këtë gjë janë të përgatitur psikologjikisht shumë fort. Aq më tepër që duhet të vazhdosh të besosh deri në fund.
– Një seri rezultatesh pozitive pas humbjes me Austrinë në Tiranë. Sa është në gjendje kjo skuadër të arrijë të fitojë Ligën e Evropës, grupin e argjendtë, për të qenë vitin e ardhshëm në grupin e artë?
– Ne akoma nuk njohim shumë mirë dy skuadrat e tjera, sepse nuk jemi fokusuar akoma tek grupi tjetër. Jemi duke marrë hap pas hapi ekipet që kemi në grupin tonë. Të përfundojmë dhe me Gjeorgjinë dhe më pas të fillojmë të studiojmë kundërshtarët që do të kemi në fazën finale të Ligës së Evropës. Mundësitë ekzistojnë që të jemi në fitues të grupit të argjendtë të Ligës së Evropës.
– Një tjetër fitore të mërkurën përballë Gjeorgjisë?
– Po patjetër, besoj se do të ndodhë. Përderisa kemi fituar atje, nuk ka pse të mos e mbyllim dhe këtu me këtë lloj rezultati, pra po 3-0. Shpresoj të mos përsëritet ajo ditë e keqe e 23 majit.
– Së fundi, çfarë ka të veçantë kombëtarja e femrave?
– Grupin, ndërsa gjithmonë Shqipëria është dalluar për grupin. Luajmë me zemër dhe luajmë gjithmonë për të fituar. Luajmë të gjitha bashkë dhe ndihmojmë njëra-tjetrën. Kush është keq i japim dorën, kush është mirë e lëmë të luajmë.