Gaspër Marku (Shkodër) 04/06/2018 20:10
ASNN – Flet veterani i përzgjedhur në listën e propozuar për të qenë në Bordin Mbikëqyrës të Vllaznisë. Gjendja e krijuar me rënien e Vllaznisë nga Kategoria Superiore ka bërë që Bashkia të organizojë disa takime për të marrë mendimet e duhura në lidhje me kandidaturat që e meritojnë të jenë në drejtimin e Vllaznisë së ardhshme. Rënia e Vllaznisë një kategori më poshtë ka sjellë jo pak zemërim në opinionin sportiv shkodran.
Megjithatë, përtej asaj që shkodranët vazhdojnë ta vuajnë si një ndër një zhgënjimet më të mëdha në historinë e futbollit shkodranë, në qytetin verior kanë nisur të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Dhe, për të përcaktuar strategjinë e kuqebluve tashmë që nuk janë më në Superiore, Bashkia ka nisur kontaktet me specialistë të futbollit shkodranë. Nën drejtimin e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi janë organizuar disa takime për të marrë mendimet e duhura sa i përket drejtimit të Vllaznisë së të ardhmes.
Në mes tyre janë dy veteranë të brezit të vjetër kuqeblu, si Sabah Bizi dhe Paulin Ndoja, prania e të cilëve shikohet si një vlerë nga ana e drejtuesve duke pasur parasysh vlerat dhe përvojën e madhe që kanë ato në fushën e futbollit. Me këtë të fundit, mjeshtrin e portës Paulin Ndoja mundësinë e kontaktimit e patëm në Shirokë, aty në bregun e liqenit të Shkodrës, ku ai tashmë me shumë vite mbi supe kalon pjesën më të madhe të kohës së tij.
Për Ndojën, puna në Kategorinë e Parë është më e vështirë sesa në atë Superiore. Ndër të tjera, teksa analizon procesin e riorganizimit të Vllaznisë, veterani thekson se një gjë e tillë nuk është aspak e lehtë, ndaj paralajmëron ato që pritet të emërohen në drejtimin e Vllaznisë nuk duhet ta marrin aspak lehtë, sepse sipas tij, puna këtu është më e vështirë se sa në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në Kategorinë Superiore.
Përzgjedhja e tij në listën e propozuar për të qenë në Bordin Mbikëqyrës të Vllaznisë është një vlerësim dhe konsideratë për Ndojën, por vetëm nëse mendimi i tij merret në konsideratë. Prandaj, duke folur edhe në emër të kolegut të tij Bizi, thotë se mendimet e tyre si profesionist nuk do të merren në konsideratë, ato do të largohen nga Bordi Mbikqyrës i Vllaznisë. Nga sa bëhet e ditur, procesi i nisur nga kryebashkiakja Ademi për organizimin e ringritjes së Vllaznisë do të vijojë edhe në ditët e ardhshme.
Pjesë e këtij procesi është edhe mbledhja e Asamblesë së KF “Vllaznia” për miratimin e emrave të propozuar në Bordin e ri Mbikëqyrës.