AlbanianSport.com 28/05/2018 20:55
ASNN – Në kuadër të përgatitjeve për Eliminatoret e Evropianit të Nën-21-vjeçarëve, Kombëtarja kuqezi e kësaj grupmoshe ka planifikuar 3 ndeshje miqësore. Kështu, më 28 maj, Shpresat janë ndeshur me Bosnjë-Hercegovinën, duke u mundur 0-2, për të vijuar me përballjen me Bjellorusinë, më 5 qershor, dhe për ta mbyllur 3 ditë më pas me sërish me të njëjtën skuadër, ndërsa të 3 takimet do të luhen në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Në harkun e dy javëve, Kombëtarja kuqezi e Nën-21-vjeçarëve, që njihet ndryshe si Shpresat, ka planifikuar 3 ndeshje miqësore dhe për trajnerin Alban Bushi, kjo është një provë shumë e mirë për lojtarët e rinj për të treguar veten. Megjithatë, në provën e parë, të luajtur sonte, skuadra e tij e mbylli me një humbje, pasi përballë bashkëmoshatarëve të Bosnjë-Hercegovinës, kuqezinjtë u mundën me shifrat 0-2.
Boshnjakët shënuan nga një gol për secilën pjesë, me Dujakoviçin, që realizon në minutën e 11-të, dhe, më pas, me Kuzmanoviçin, i cili realizon 6 minuta nga fundi i kohës së rregullt. Ekipi i trajnerit Alban Bushit bëri shumë pak, me vetëm me një shtyllë të Hebajt në pjesën e parë si rastin më të spikatur. Shpresat do të luajnë gjithashtu edhe dy takime të tjera miqësore, në datë 5 dhe 8 qershor 2018, në Elbasan, ndaj të njëjtit kundërshtar, Bjellorusisë.