AlbanianSport.com 28/05/2018 10:40
…vijon nga dje
Edhe finishi u ka bërë çiklistëve një “dhuratë”, pasi, ndryshe nga vjet, nuk është zhvilluar brenda në qytet, por në Kalanë e Lëkursit, duke i sfiduar pjesëmarrësit deri në vijën e finishit. Aty ku i pari ka mbërritur Nikola Gafurini, i cili është ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Paolo Toto, si dhe nga një tjetër italian, Mateo Rabotini, i skuadrës kroate të “Meridiana Kamen”. Ka qenë një etapë sfilitëse ajo e 4-ta dhe kjo u duk edhe në vijën e finishit, ku jo të gjithë arritën ta përballonin pa pasoja, por fatmirësisht, pa probleme serioze.
Një gjë të tillë e ka pohuar për Radio-Televizionin Shqiptar edhe fituesi i etapës, Nikola Gafurini, i cili e ka pranuar se përvoja e tij si specialist i malores bëri diferencën në këtë garë, duke i dhuruar atij triumfin. Dita e fundit ka patur një tjetër ndryshim sa i përket nisjes, pasi gjithçka ka zënë fill nga Qafë-Gjashta, për t’iu drejtuar Fierit. E veçanta e kësaj etape ishte se ajo është zhvilluar në kushte të ndryshueshme moti, duke nisur me diell në Sarandë, duke vijuar me kohë të vrenjtur në Tepelenë e Memaliaj, e duke përfunduar me rreshje shiu përgjatë Levanit dhe në mbërritjen në Fier. Një finish ku Xhuliano Kamberaj ka qenë shumë pranë fitores.
Por humbja e përqendrimit i ka kushtuar shkallën e parë të podiumit, duke u detyruar të kënaqet me atë të dytën. Sepse irlandezi i skuadrës belge të “Asfa Racing Team 2018”, Mark Hini, i “ka vjedhur” fitoren në metrat e fundit. Podiumin e ka plotësuar italiani Rikardo Stakioti i skuadrës rumune të “MSTina Fokus”-it, ndërsa Kamberaj nuk e ka fshehur zhgënjimin me veten. Në qendër të Fierit është zhvilluar edhe ceremonia e mbylljes së Rrethit, ku kryebashkiaku Armando Subashi dhe presidenti i Federatës, Skënder Anxhaku, kanë kurorëzuar Mikele Gaxarën si fitues të edicionit të 75-të, si dhe skuadrën e “Sanxheminit” si ekip fitues të tij.
Duke folur pas kurorëzimit, Gaxara ka rrëfyer edhe emocionet e tij. Ndërsa Subashi dhe Anxhaku kanë vlerësuar kurorëzimin me sukses të këtij Rrethi. Kështu pra ka përfunduar ky Rreth i 75-të Çiklistik i Shqipërisë, i cili i sfidoi pjesëmarrësit përgjatë 809.8 kilometrave të tij, me një shpejtësi të admirueshme mesatare prej 40.49 kilometra/orë, nëpër disa prej destinacioneve më të bukura të vendit. Edhe në aspektin sportiv, Shqipëria ishte dinjitoze në këtë edicion, e 7-ta midis 12 ekipeve, shumica dërrmuese plotësisht profesioniste dhe me një përvojë dhe logjistikë mjaft më të pasur, por edhe me emra të spikatur që kanë fituar më parë edhe etapa në Xhiron e Italisë.
Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, edhe ky Rreth i 75-të Çiklistik u pasqyrua për sportdashësit nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, nëpërmjet kronikave në edicionet e lajmeve, por edhe transmetimit të një përmbledhjeje të çdo etape, të përgatitur nga grupi i xhirimit, të përbërë nga Altin Kodra, Edi Muka, Igli Murati, Paris Prifti dhe Avni Neziri, dhe të komentuar nga specialisti i çiklizmit, Genc Angjeli.