AlbanianSport.com 26/05/2018 07:55
ASNN – Të dielën e kaluar, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, është zhvilluar Kupa e 23-të e Shqipërisë në taekuondo në versionin ITF. Në këtë veprimtari, sipas informacionit që ka përcjellë presidenti Bujar Çaushi, kanë marrë pjesë sportistë femra e meshkuj të moshës nga 5, deri në 49 vjeç. Gjithçka ka qenë nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Taekoundosë ITF, por dhe Bashkisë së Durrësit, apo dhe të trajnerit të Teutës, Besnik Suli.
Të gjithë sportistët kanë konkurruar në dyluftim, teknikë speciale dhe teknikë force. Gjithsej kanë qenë 200 sportistë, të cilët kanë sjellë cilësi në tapet. Për moshën 5-6 vjeç, që është kategoria “Zogjtë”, është dalluar Darel Jaupi. Për moshën 7-8 vjeç, apo “Dragojtë”, Flavio Vuka. Për moshën 9-11 vjeç, që janë kategoria e “Fëmijëve”, Klevi Ndreca, Geri Koroveshi, për Femra Luneda Myftaraj, Morena Kuҫaj.
Në grupmoshën e “Shpresave”, apo të asaj 12-14 vjeç, janë dalluar Endri Abazi, Donald Ferati, Klejdi Met’hoxha. Po në këtë grupmoshë, tashmë për femra, më të forta ishin Olisa Shameti, Lina Arra. Ndërkohë për të rinj, që janë grupmosha 15-17 vjeç, janë dalluar Ervin Balla, Artion Shoraj, Fiona Shameti, Joana Kiptiu, Eva Pashaj.
Sakaq për të rritur, apo grupmosha 18-28 vjeç, kanë spikatur Bektash Mërkuri, Endri Daberdini, Rei Saliasi, Rafaela Bixhaku, Katerina Kate. E për veteranët, apo “Zotërinjtë”, që janë në grupmoshën 29-49 vjeç spikato Flamur Hoxha. Ndërkohë fitues si ekipe ishin “Ari Master Akademi” me 158 pikë, që ka lënë nga pas “Rimi Taekuondo Akademi Vlorë”, me 100 pikë, dhe “Apolonia Kuan”, me 88 pikë.