AlbanianSport.com 05/05/2018 15:55
ASNN – Ndonëse paradreke të gjithë ishin në llogoret e tyre, me shkresën e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes që i kërkonte Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), anulimin e vendimit, pasdreke gjithçka ka ndryshuar. Gjithçka nisi në fillimin e kësaj jave, ndërsa në mesjavë, peshëngritësit shqiptarë janë kacafytur me drejtuesit e KOKSH-it që nga fillimi i javës, madje kanë thirrur mediat që të jenë pranishme në debatin e tyre, të cilat transmetuan problematikën në fjalë, madje dhe skandalet që u prodhuan në këto zyra të mërkurën.
Madje, KOKSH-i arriti deri në faktin që pezulloi Peshëngritjen shqiptare për dy vite për shkak të skandaleve të dopingut dhe keqqeverisjes si institucion. Gjithçka nisi për shkakun se Federata e Peshëngritjes nuk u regjistrua në Lojërat Mesdhetare. Peshëngritësit si Erkand Qerimaj, Daniel Godelli dhe Briken Calja uzurpuan zyrat e KOKSH-it dy ditë më parë, ndërsa pati dhe skandale dopingu, nga ku u përfolën emrat se kush ka sjellë këto substanca në Shqipëri. Por, sipas asaj që raporton ekskluzivisht faqja sportive Eduasportin.com, dy ditë më pas situata ndryshon, si nata me ditën.
Dje, pa praninë e mediave, pa njoftuar askënd, pranë zyrave të KOKSH-it janë parë peshëngritësit Daniel Godelli, Erkand Qerimaj dhe Briken Calja, të cilët kanë qenë në shoqërinë e Sekretarit të Përgjithshëm të KOKSH-it, Stavri Bello. Burime pranë Eduasportin.com bëjnë me dije në mënyrë ekskluzive se aktorët në fjalë janë munduar që të bëjnë paqe me njëri-tjetrin, ku pala e interesuar ka qenë ajo e shtangistëve. Mësohet se kanë kërkuar bashkëpunimin me KOKSH-in në mënyrë që, nëse nuk shpëtohet dot pjesëmarrja në Tarragona, të paktën të shpëtohen veprimtaritë e ardhshme ndërkombëtare.