AlbanianSport.com 05/05/2018 14:35
ASNN – Klubi i Regbisë “Tirana” debutoi në mes të prillit në Superligën Ballkanike të kësaj disipline. Të shtunën, skuadra shqiptare luan ndeshjen e dytë dhe të fundit në grup, kur të presë grekët e Atika Rinos, në takimin që do të zhvillohet në fushën e Kompleksit “Skënder Halili” në kryeqytet. Ndonëse një sport relativisht i panjohur për shqiptarët, regbija është tashmë një realitet i ri sportiv në vendin tonë, pasi Klubi i Regbisë “Tirana” debutoi në mes të prillit në Superligën Ballkanike të kësaj disipline.
Përvoja dhe mungesa e një kampionati të rregullt në Shqipëri bëri diferencën në fushën e blertë, teksa Tirana u mund 0-38 nga Radniçki i Nishit në Serbi, në një përballje të zhvilluar në prani të 500 tifozëve dhe në një frymë të jashtëzakonshme sportive. Të shtunën, skuadra shqiptare luan ndeshjen e dytë dhe të fundit në grup, kur të presë grekët e Atika Rinos, në takimin që do të zhvillohet në fushën e Kompleksit “Skënder Halili” në kryeqytet.
Ajo që duhet theksuar është se “ligë regbija” është një variacion i regbisë klasike, i cili po gjen një përhapje gjithnjë e më të madhe, për shkak se është më i thjeshtë në rregulla dhe luhet me më pak lojtarë. Kështu, ndërkohë që në regbinë klasike numri i lojtarëve për skuadër është 15, në regbinë e ligës, ai është 13, ndërsa koha e lojës është e njëjtë, me nga dy pjesë nga 40 minuta secila. Ndërkohë që pikëzimet janë pak a shumë njëlloj.
Sepse një “try”, kur lojtari e përplas topin përtej vijës fundore të kundërshtarit vlen 4 pikë, një “conversion”, apo një goditje e lirë e realizuar vlen 2 pikë, po aq sa vlen edhe një “penalty”, e realizuar me sukses, ndërsa një “drop goal”, apo gol në lëvizje, vlen një pikë të vetme dhe nuk para praktikohet shpesh sepse synohet marrja e sa më shumë pikëve. Edhe kontakti fizik në regbinë e ligës është më i kufizuar sesa në regbinë klasike, ashtu sikundër edhe numri i ndërhyrjeve është i kufizuar në 6, ndryshe nga regbija klasike ku nuk ka kufizime.
Në regbi sulmohet përpara, por topi pasohet gjithnjë prapa ose anash, duke synuar afrimin sa më tepër drejt vijës fundore të kundërshtarit. Portat janë me të njëjtën gjerësi me portat e futbollit, por golat vlejnë në pjesën e sipërmet të traut. Megjithatë, të gjitha këto sportdashësit shqiptarë do të kenë mundësi t’i mësojnë më datë 5 maj, në orën 16:00, në fushën e “Skënder Halilit”, kur të zhvillohet përballja midis Tiranës dhe Atika Rinos, ku hyrja është falas. Kronika e mëposhtme na sjell këtë përvojë, por edhe një vështrim të rregullave të kësaj loje.