AlbanianSport.com 05/05/2018 10:35
ASNN – Turi i 61-të i Italisë ka nisur me garën e kronometrit nëpër rrugët e Jeruzalemit, që ka pasur një gjatësi prej 9.7 kilometrash. Për sa i përket çiklistit shqiptar Eugert Zhupa, që garon me skuadrën e Uilier Triestina Sele Italia, e mbylli garën në vendin e 158-të, duke prerë vijën e finishit pas 1’43” nga fituesi i etapës.
Kronometri nuk është arma e fortë e Zhupës, që pritet të tregojë forcën e tij në etapat në vijim (ky është viti i 4-t që Zhupa merr pjesë në Xhiro). Ndërkohë, që në start, një prej pretendentëve për fitimin e këtij turneu ka shënuar menjëherë emrin e tij. Ai është holandezi Tom Dumulin.
Kampioni në fuqi i kësaj veprimtarie, që përshkoi distancën në kohën 12’02” duke lënë pas australianin Rohan Denis me 2 sekonda më shumë, ndërsa i treti u rendit belgu Viktor Kampenaerts, po me dy sekonda më shumë. Falë këtij triumfi, Dumulin mban të veshur edhe fanellën rozë të liderit të këtij turneu.
Ndërkohë, rivalët e tij kryesorë për fitimin e Xhiros së Italisë humbën mjaft terren që pas kësaj etapë. Britaniku Kris From u rendit në vendin e 21-të, me 37 sekonda vonesë kundrejt holandezit, ndërsa italiani Fabio Aru e mbylli garën e sotme në vendin e 47-të, me 50 sekonda më shumë se fituesi.
Etapa e dytë është Haifa-Tel-Aviv, e gjatë 167 kilometra.