AlbanianSport.com 17/04/2018 12:30
ASNN – Trajneri i ekipit të Partizanit në volejboll për meshkuj, Ylli Tomorri, ka vlerësuar nivelin e lartë të kësaj sfide të parë të finaleve të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj.
“Kështu si erdhi puna, edhe ne kemi meritë që e kemi çuar deri këtu këtë ndeshje, sikurse ka Erzeni meritë që fitoi, – ka thënë trajneri i të kuqve pas humbjes 2-3 të hënën në mbrëmje në kryeqytet.”
“Nëse do të jenë të tilla të gjitha finalet, atëherë nuk të vjen keq nëse do ta fitosh titullin, apo jo, – ka vijuar ai. – Erzeni ka dhe një publik që e mbështet. Fatkeqësisht ne na duket sikur jemi të huaj dhe pa tifozë.”
“Por nëse vazhdojmë kështu do të jetë mirë dhe kemi besim se dhe mund ta kthejmë në ndeshjen e dytë, apo të tretë”, – ka përfunduar trajneri i Partizanit, Ylli Tomorri, që tanimë e ka hedhur vështrimin tek ndeshja e dytë.