AlbanianSport.com 17/04/2018 07:55
ASNN – Erzeni në volejboll për meshkuj ka bërë përmbysjen e madhe, teksa pas dy orë e 23 minutash ka fituar ndaj Partizanit në sallën sportive “Feti Borova”. Një sukses i merituar i djemve të trajnerit Arben Sako dhe ndihmësit Rezeart Muka, që e kanë pasur fitoren për të gjithë tifozët e tyre, që në fakt kanë mbushur tribunën e Sallës Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në kryeqytet.
Ajo që duhet vlerësuar, të paktën për nga organizimi, që ka qenë i përbashkët mes Klubit Shumësportësh “Partizani” dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit, gjithçka ka ngjarë si të ishte një ndeshje ndërkombëtare. Nis me ekzekutimin e himnit kombëtar, por më pas dhe muzikë në sfond. Megjithatë një ndeshje që nuk i shpëtoi dhe tensionit, por që në tërësinë e vet ka pasur firo nga të dy palët.
Firo në shërbim, po pse jo dhe në sulm, apo dhe në bllok me prekjet e shpeshta të rrjetës. Por fitoi Erzeni, sepse u tregua më i qetë dhe i administroi më mirë situatat. Plot 2 orë e 23 minuta ishte kohëzgjatja e finales së parë të volejbollit të meshkujve mes Partizanit dhe Erzenit, që është luajtur dje, ndërsa gjithçka është zgjidhur nga skuadra shijakase në setin final.
4 ndeshje kanë luajtur Partizani me Erzenin këtë sezon, dy ndeshje i ka fituar Erzeni (3-1 dhe 3-2) dhe dy ekipi i të kuqve, dy herë 3-0.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Finalet e “Play-off”-it
Ndeshja e parë:
16 prill 2018:
Partizani – Erzeni 2-3 (0-1)
(25-19, 22-25, 25-17, 18-25, 15-17)
Salla Sportive e Lojërave me Dorë “Feti Borova”, Tiranë
19 prill 2018:
Erzeni – Partizani ora 19:00
Salla Kryesore e Akademisë “Dhimitraq Goga”, Durrës
22 prill 2018:
Partizani – Erzeni ora 19:00
Salla Sportive e Lojërave me Dorë “Feti Borova”, Tiranë