AlbanianSport.com 31/03/2018 18:00
ASNN – Jeta nuk ka qenë e drejtë për Ali Rezain. Teksa e shikon në rrugë, me fizikun e tij robust, e kupton menjëherë se ai është një njeri “i rrahur me vaj e me uthull”. Një ekspert i forcave speciale në vendin e tij të lindjes, në Iran, ai tanimë gjendet në Tiranë, për ta nisur gjithçka nga fillimi. Por me shpresën se kërkesa e tij për azil politik do të miratohet, sepse, përndryshe, një kthim prapa në Iran, do të nënkuptonte dënim me vdekje. Por, pikësëpari, pse u largua ai nga vendi i tij i lindjes?
“Më kërkuan të shkoj me njësitë paramilitare që Irani ka instaluar në Siri, – rrëfen ai për AlbanianSport.com. – Natyrisht, profili im i skalitur me forcat speciale më bënte të përshtatshëm për këtë detyrë, por unë nuk mund ta pranoja atë. Bëhej fjalë për një detyrë që jo domosdoshmërisht ndiqte rregullat ushtarake. Me pak fjalë, mua më kërkohej, që, kur ta lypte nevoja, të vrisja njerëz të pafajshëm, të vrisja gra dhe fëmijë, vetëm e vetëm sepse dikush i cilësonte ata si “armiq”.”
“Nuk mund të bëhesha kriminel”
“Por unë nuk mund ta bëja këtë, sepse unë besoj në Zot dhe unë nuk mund t’i marr jetën asnjë njeriu, sepse nuk ia kam dhënë unë atë jetë, – vijon më tej 37-vjeçari, i cili, ndryshe nga pjesa dërrmuese në Iran, e cila është “shiite”, është “suni”. – Për këtë arsye, u detyrova të refuzoj, edhe pse ky refuzim nënkuptoi largimin nga vendi im. Që nga ajo kohë, 8 vite më parë, unë nuk kam shkelur më në vendin tim dhe nuk kam parë as tim bir, të cilin e kam lënë shumë të vogël, vetëm disajavësh.”
Dhe, që nga ajo ditë, jeta e ka përplasur atë nëpër dallgët e saj, duke i dhënë si “kamerdare” shpëtimi pasionin e jetës së tij, artet marciale, me të cilat ka mbijetuar. Ka mbijetuar për disa vite në Turqi, duke arritur madje të përfshihet edhe në ekipin përfaqësues në karate, ndërsa ka patur edhe një përvojë të shkurtër në Greqi, por ku nuk ka zgjatur shumë për shkak të besimit të tij të fortë. Dhe, më pas, dallgët e jetës e kanë përplasur atë në Shqipëri.
“Shqipëria, një oaz në llojin e vet”
Aty ku i duket se ka rilindur. “Nuk kisha besuar se do te gjeja një vend në botë ku muslimanët e të krishterët do të jetonin kaq në paqe me njëri-tjetrin, do të bashkëjetonin kaq mirë me njëri-tjetrin, – pohon Ali Rezai, i lindur në qytetin e Rashtit, në Iranin veri-perëndimor. – Juve shqiptarëve mund t’ju duket e tepruar po t’ju them se kjo është një parajsë për mua, sepse, për herë të parë, unë po ndjej ajrin e lirisë në venat e gjakut tim dhe e shoh këtë vend si shtëpinë time përfundimtare.”
“Sigurisht, çdo vend ka të mirat e të këqijat e veta, por, unë jam prekur nga qëndrimi im prej vetëm 3 muajsh këtu, – sqaron iraniani. – Që nga mbërritja ime në Gjirokastër e deri në pranimin tim në kampin e Babrrusë, të gjithë kanë qenë shumë të mirë me mua, janë sjellë shumë mirë. Që nga drejtori i kampit në Babrru, stafi i kampit, të gjithë më kanë ndihmuar me sa munden dhe shpresoj që edhe nga intervista që kam javën e ardhshme për azil politik, të dal faqebardhë.”
Jo thjesht refugjat, por një kampion i sportit kuqezi
Por Ali Rezai nuk dëshiron thjesht të vegjetojë në Shqipëri. Një ekspert i arteve marciale, nga karateja, tek xhudoja, tek artet e përziera luftarake (MMA) ai shpreson të pajiset sa më shpejt me pasaportën shqiptare dhe të luftojë për flamurin shqiptar. Janë të panumërta medalje dhe diplomat që ai na i tregon me pasion, ndërsa na shpalos edhe artikuj të ndryshëm të gazetave iraniane apo turke, të triumfeve të tij, si sportist, si drejtues dhe si trajner i ekipeve në të cilat ka milituar.
Në Tiranë, krah i janë bërë trajnerët Jori Hamzallari dhe Egli Dankshi, të cilët e stërvisin atë në mjediset e palestrës së “Crossfit Stamina” në zonën e Freskut në Tiranë. Të cilët 37-vjeçari i falënderon pa masë dhe, me ndihmën e tyre, ai ka një ëndërr të madhe. Një superduel me një kampion të madh të “kick-box”-it, siç është rumuni Katalin Morosanu, të cilit i ka dërguar një ftesë dhe pret një përgjigje prej tij. Dhe, në këtë duel, Ali Rezai dëshiron të luftojë për dhe me flamurin shqiptar.
Iraniani 37-vjeçar, sfidë rumunit Morosani
“Morosani është një kampion i madh, një fitues i “Superkombat”-it, por unë kam besim të patundur në forcat e mia dhe do ta mund atë për Shqipërinë, – flet i entuziazmuar iraniani. – Ideale do të ishte nëse do të kishim mundësi ta zhvillonim këtë ndeshje në Tiranë, ku unë kam në plan që gjysmat e biletave të shitura t’i dhuroj në ndihmë të fëmijëve shqiptarë që kanë humbur, për arsye të ndryshme, prindërit. E them këtë si një prind që jam vetë.”
E teksa thotë këtë, ai përlotet, sepse ka dy djem që ka shumë vite që nuk i ka parë. Bashkëshortja e tij, një sportiste dhe futbolliste ukrainase, është kujdesur për ta në Iran dhe Ali Rezai mezi prej që të vijë dita që të bashkohet me të dhe me fëmijët, për të nisur një jetë në Tiranë. Por tanimë, si shqiptar dhe me ëndrra të mëdha në ringun profesionist të arteve marciale, pse jo, për t’u rreshtuar përkrah kampionëve si Florian Marku, në ngjyrat kuqezi…