AlbanianSport.com 31/03/2018 07:55
ASNN – Në fakt, është cilësuar gjithmonë si një klasike e futbollit botëror, por, që pas asaj mbrëmjeje të paharrueshme, varet edhe nga cili këndvështrim e sheh, të korrikut të 2014-ës, përballjet Gjermani-Brazil kanë marrë një tjetër ngjyrim. Dhe miqësorja e së martës, e luajtur në “Olimpiadshtadion” të Mynihut, ishte e para që nga ajo humbje katastrofike, 1-7, e brazilianëve e për më tepër në fushën e tyre para vitesh. Për këtë arsye, 5 herë kampionët e botës zbritën në fushën e 4 herë kampionëve të botës me misionin e hakmarrjes dhe përzënies se fantazmave të makthit që i kishte mbërthyer që nga ajo disfatë e Belo Horizontes.
Dhe Brazili e fitoi ndeshjen, duke patur mbase edhe një ndërhyrje hyjnore në trajtën e Zhezusit, futbollistit goditja me kokë e të cilit pati nevojë edhe për pasigurinë e portierit gjerman, Trap, për të kaluar vijën fatale. Megjithatë, në krahun tjetër, duhet theksuar se trajneri Joakim Lëv kishte bërë 7 ndryshime nga 11-shja që zbriti në fushën e blertë për Gjermaninë në barazimin drithërues të para pak ditëve përballë Spanjës. Diferencën në Mynih e bëri padyshim mbrojtja më e qëndrueshme e brazilianëve, të cilët mund të ishin ndëshkuar sidoqoftë nga një goditje e Toni Krosit në minutat shtesë, që u neutralizua bukur nga Alisoni.
Kjo humbje i dha fund vazhdës prej 22 ndeshjesh pa humbje të Gjermanisë, që ishte vetëm një ndeshje larg rekordit historik të saj. Përgjatë periudhës 1978-1981, gjermanët shkuan 23 ndeshje pa humbje, ndërsa duhet theksuar se edhe më 1998-ën, Brazili i pati dhënë fund një tjetër vazhde prej 22 ndeshjesh pa humbje të Gjermanisë. Megjithatë, deri në “Rusi 2018” ka ende kohë dhe, përveç një ngushëllimi psikologjik, brazilianët e dinë se në një përballje eventuale në Botërorin e verës, gjërat do të jenë ndryshe. Ashtu siç e dinë edhe gjermanët…