AlbanianSport.com 24/03/2018 10:40
ASNN – Trajneri kuqezi, Kristian Panuçi padyshim që do të ketë mbajtur shumë shënime teksa ka parë Norvegjinë të përmbysë Australinë dhe t’i prishë debutimin trajnerit holandez, Bert Van Marvijk, duke fituar me rezultatin e thellë 4-1. Shqipëria përballet të hënën në një miqësore me norvegjezët dhe të dyja skuadrat ndajnë një bilanc të barabartë, pasi në 4 përballet e deritanishme zyrtare, secila ka fituar nga një ndeshje, përkatësisht në fushën e njëra-tjetrës.
Ndërsa dy sfidat e tjera janë mbyllur në barazim. Të hënën Shqipëria përballet në një ndeshje miqësore me Norvegjinë dhe trajneri Kristian Panuçi padyshim që do të ketë mbajtur shumë shënime teksa ka parë nordikët të përmbysin Australinë dhe t’i prishin debutimin trajnerit holandez, Bert Van Marvijk, duke fituar me rezultatin e thellë 4-1. Në fakt, përtej pësimit të një goli në minutën e 19-të, me autor Ërvajnin, nordikët e kanë dominuar plotësisht ndeshjen.
Ata kanë shpalosur një besim të patundur në vetvete dhe duke dëshmuar një potencial të admirueshëm fizik dhe teknik, që, ndërthurur me bagazhin e pasur taktik të një trajneri të sprovuar si Lars Lagerbak, ka dhuruar një paraqitje bindëse dhe një rezultat të thellë. Në fakt, trajneri që drejton skuadrat përfaqësuese që nga viti 1990-të, kur e niste me Nën-21-vjeçarët e vendit të tij të lindjes, Suedisë, për të vijuar në 10-vjeçarin e dytë të viteve 2000 me Nigerinë, Islandën dhe, tanimë, Norvegjinë, e ka nisur takimin e së premtes me një skemë të pastër 4-4-2.
Para gardianit të portës, Jarstain, ai ka rreshtuar nga e majta në të djathtë Melingun, Ajerin, Reginiusenin dhe Elabdelauin, ndërsa në mesfushë, Henrikseni dhe Midtsjë në qendër u ndihmuan nga krahët nga Eljonusi në të majtë dhe Johanseni në të djathtë. Në sulm, gjetja e golit iu besua dyshes Maars Jonsen dhe Ola Kamara dhe ishte ky i fundit që gjeti 3 herë rrugën e rrjetës. Ai shënoi fillimisht në minutën e 36-të, duke bërë që 45-mintuëshi i parë në Oslo të mbyllet në barazim 1-1.
Pasi Reginiuseni kishte përmbysur shifrat në favor të vendasve në fillimin e pjesës së dytë, Kamara ka gjetur edhe dy herë të tjera rrugën e rrjetës, në minutën e 57-të dhe në atë të parë shtesë të kohës së rregullt. Natyrisht, kjo ishte përgatitja më e mirë e nordikëve për miqësoren me Shqipërinë, me të cilën ndan një bilanc të barabartë, pasi në 4 përballet e deritanishme zyrtare, secila skuadër ka fituar nga një ndeshje, përkatësisht në fushën e njëra-tjetrës, ndërsa dy sfidat e tjera janë mbyllur në barazim.
Si trajneri Lagerbak, ashtu edhe homologu kuqezi, Kristian Panuçi, e kanë nisur punën me skuadrat aktuale në 2017-ën, ndërsa kanë edhe një bilanc identik. Ndërkohë që suedezi ka korrur 4 fitore, ka marrë dy barazime dhe ka pësuar 4 humbje në 10 ndeshjet e deritanishme me Norvegjinë, edhe italiani ka korrur dy fitore, ka marrë një barazim dhe ka pësuar dy humbje në 5 ndeshjet që drejton Shqipërinë.
Të gjitha këto statistika e bëjnë sfidën miqësore të së hënës, që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, një përballje interesante.