AlbanianSport.com 24/03/2018 08:50
ASNN – Maroku nuk është tërhequr, madje ditët e fundit ka paraqitur edhe kandidaturën për të organizuar Botërorin e vitit 2026 në emër të kontinentit afrikan, pavarsisht një sfide të fortë që paraqet kandidatura e përbashkët amerikanoveriore e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Meksikës. Dy ditë pasi e ka dorëzuar dosjen e plotë në FIFA, kreu i Komitetit të Kandidaturës së Marokut, Mulej Hafid Elalami bëri të ditur para shtypit gatishmërinë e vendit të tij për ta mirëpritur këtë veprimtari madhore futbollistike.
“Asgjë nuk ka përfunduar dhe Maroku i ka të gjitha mundësitë”, – tha ai. Mbretëria afrikano-veriore ka përzgjedhur paraprakisht edhe 12 qytetet që do ta mirëprisnin Botërorin, si dhe ka propozuar edhe 14 stadiumet. Kazablanka, qendra ekonomike e Marokut, dhe Marrakeshi, kryeqyteti turistik i venditkanë secili nga dy stadiume, ndërsa 10 të tjerët do të shpërndahen nëpër qytete të tjera të vendit. Stadiumi më i madh do të jetë ai i Tanzhierit dhe do të ketë një kapacitet prej 93,000-vendesh.
Një nga epërsitë e kandidaturës marokene është edhe ora e zhvillimit të ndeshjeve, që përkon me Meridianin e Grinuiçit, njohur shkurt si GMT, çka do t’u mundësojë sportdashësve një përllogaritje më të thjeshtë të orarit në vendet e tyre, – tha Elalami, i cili është në të njëjtën kohë edhe Ministër i Industrisë. Ai shtoi se Maroku ofron hyrjen pa vizë për qytetarët e mbi 70 vendeve të botës, ndërsa largësia e stadiumeve nga njëri-tjetri nuk është e madhe dhe u mundëson sportdashësve të lëvizin lirisht nga njëri tek tjetri.
Maroku ka kandiduar edhe më parë, por pa sukses, edhe për Botërorin e 1994-ës, 1998-ës dhe 2006-ës. Megjithatë, kandidatura e përbashkët SHBA-Kanada-Meksikë shihet si favorite për të mirëpritur Botërorin e 2026-ës, që do të zhvillohet, për herë të parë, me një numër rekord prej 48 ekipesh pjesëmarrëse, nga 32 që ka aktualisht. Vendimi për organizatorin e këtij Botërori do të merret më 13 qershor të këtij viti në Moskë.