Nga Et’hem Ibrahimi 13/03/2018 09:45
Personalitet i shquar i sportit shqiptar, emër i mirënjohur dhe i respektuar vepra e të cilit do të mbesë gjatë në kujtesën e të gjithëve. Me rastin e 90-vjetorit të lindjes të Kastratit, Mjeshtri i Madh, trajneri i kombëtares së futbollit, Shyqyri Rreli ka thënë: “Aliu është “kampioni i kampionëve”.
“Ai ka qenë një nga dietologët dhe masazhatorët e parë në vendin tonë për sportin tek Partizani dhe në ekipet përfaqësuese të futbollit dhe shumë sporteve të tjerë, – ka vijuar ai. – Shpirti luftarak, përvoja dhe aftësia profesionale kanë qenë dhunti e këtij të pashoqi.”
Një tjetër kolos në volejboll, Vangjel Koja, e përshkruan kështu Kastratin: “Kur dilte Aliu në ring të gjithë boksdashësit e prisnin me ovacione dhe duartrokitje të zjarrta. Ishte fizioterapisti më i mirë që u përgatit në Bullgari dhe duart e tij ishin të “arta”, të cilat riaftësuan qindra sportistë e sportiste, artistë dhe qytetarë.
Dhe ata, për kushtimin, humanizmin dhe profesionalizmin e vlerësonin atë në maksimum.” Më 11 mars janë bërë pesë vjet pa Ali Kastrati, i cili do të rrojë gjatë në kujtesën e historisë së sportit shqiptar, si një figurë shumëplanëshe dhe një personazh të dashur.