AlbanianSport.com 18.10.2014 20:55
ASNN – UEFA ka njoftuar paraditen e së martës se ka hapur procedime disiplinore kundër Italisë dhe Kroacisë pas ndeshjes së zhvilluar mes tyre të dielën, në Milano. Takimi i vlefshëm për Eliminatoret e “Euro 2016” u ndërpre përkohësisht në të dyja pjesët (për 10 minuta në të dytën) nga gjyqtari holandez Bjorn Kuipers, pasi tifozët kroatë hodhën fishekzjarrë dhe bomba tymuese në fushën e lojës.
Akuza për sjellje raciste, trazira mes tifozësh dhe hedhjen e fishekzjarreve dhe tymueseve janë ngritur kundër Federatës Kroate të Futbollit, ndërsa Italia akuzohet për lejimin e hedhjes së këtyre mjeteve të ndaluara nëpër stadiume. Rasti në fjalë do të merret në shqyrtim nga Komisioni i Disiplinës, Kontrollit dhe Etikës në UEFA më 11 dhjetor.
Ndeshja përfundoi me rezultatin 1-1, por ritmi i lojës u ndërpre shpesh nga ngjarjet në tribunat e tifozëve. Në pjesën e dytë, lojtarët u urdhëruan të futeshin në dhomat e zhveshjes për 10 minuta nga gjyqtari i takimit. Rezultati i la të dy ekipet në kuotën e 10 pikë, në krye të grupit H.