AlbanianSport.com 18.10.2014 19:05
ASNN – Kombëtarja e Nën-19-vjeçarëve e mbyll në mënyrën më të keqe fazën eliminatore të EURO 2015, duke u mundur edhe në ndeshjen e tretë kundër Uellsit, e cila u zhvillua në stadiumin “Municipal” të qytetit Bela Vista në Portugali. Të rinjtë e drejtuar nga Altin Lala nuk arritën të shënonin më shumë se një gol përballë kundërshtarëve britanikë, që realizuan dy herë deri në minutën e 60-të.
Ishte Morina që ngushtoi diferencën në të 74-n, por ky gol shërbeu vetëm për statistikë, sepse Shqipëria nuk arriti të grumbullonte asnjë pikë në eliminatoret EURO 2015. Humbja bëri që lojtarët shqiptarë të dilnin totalisht nga detyrat taktike, aq sa e mbyllën këtë takim me nëntë lojtarë. Në fillim gjyqtari la me një lojtar më pak uellsianët në minutën e 78-të, kur Harreis mori kartonin e dytë të verdhë.
Por kjo epërsi nuk u shfrytëzua si duhet nga ana e lojtarëve tanë, të cilët e zhvendosën lojën në gjysmëfushën e Uellsit, por pa arritur që të shënonin. Sakaq, në minutën e fundit ishte mbrojtësi Ardit Tolli, i cili doli me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër në dëm të kundërshtarit dhe në minutën e tretë shtesë këtë fat pati edhe shoku i tij i skuadrës, Stublla.
Kombëtarja e Nën-19-vjeçarëve, ndeshjen e parë e luajti me Danimarkën, e cila u shkaktoi kuqezinjve një humbje të ngushtë 1-0, ndërsa Portugalia fitoi me rezultatin 4-1. Disfata me Uellsin e vendos përfundimisht kombëtaren e Lalës në vendin e fundit të këtij grupi, nga i cili kualifikohen Portugalia dhe Danimarka për fazën tjetër të kësaj veprimtarie, që njihet si “Elite Round”.
Megjithatë, sikundër shihet edhe nga fotoja që shoqëron shkrimin, pikërisht në kulmin e shpërthimit të patriotizmit, që vijon që prej ndeshjes së 14 tetorit me Serbinë, Kombëtarja e Nën-19-vjeçarëve kthen edhe një herë skandalin e fanellave. Sikundër shihet, por edhe sikundër ndodhi vjet në ndeshjen e të rriturve me Zvicrës, të ashtuquajturit kuqezinj janë bërë bardheblu.
Këto janë ngjyra lehtësisht të identifikueshme si të përfaqësueses greke, ndërkohë që dihet se ngjyrat alternative të Shqipërisë janë e bardha apo e kuqja, me përkatësisht shirita të kuq apo të zinj, por jo blu.