AlbanianSport.com 26/02/2018 16:10
ASNN – Teuta në pingpong për femra ka dalë e treta në Kupën e Ballkanit të klubeve, që për tre ditë rresht është zhvilluar në Otoçeç të Sllovenisë. Teuta e drejtuar nga trajneri Musa Tërniqi, ndërsa ka pasur në gjirin e vet Liridona Rexhajn, Gabriela Dangllin, Orjana Agollin dhe Samanda Agollin, ka fituar dy nga 4 ndeshje.
Kështu ka triumfuar 3-2 ndaj Budim Beranes të Malit të Zi dhe PPK Kriva Palankës së Maqedonisë. Por është mundur 0-3 nga sllovenet e Arrigoni Zolës, që ishin fituesit e turneut, si dhe nga boshnjaket e Spin 2012 të Sarajevës. Durrsaket janë shoqëruar dhe nga Shefi i Klubit Shumësportësh “Teuta”, Kreshnik Leka.
Kurse suksesi i tyre me vendin e tretë në Kupën Ballkanike të Klubeve ishte lavdia e pingpongut shqiptar. Ndërkohë, në këtë veprimtari ka marrë pjesë dhe Studenti për meshkuj, që kishte në përbërjen e vet Jon Tufën, Dorian Tapinë, Sadush Tosunin. Studenti ka zënë vendin e fundit duke shënuar vetëm humbje.
Kështu është mundur 0-3 nga turqit e Beshiktashit të Stambollit, 1-3 nga malazezët e Buduçnostit të Podgoricës, 0-3 nga boshnjakët e Banat Zerjanin, 0-3 nga maqedonasit e PPK Telekom të Shkupit dhe 0-3 nga kosovarët e Ahmet Hoxhës së Ferizajt. Në këto kushte, Teuta e femrave ishte pasqyra më e mirë e pingpongut shqiptar në Ballkanikun e klubeve për 2018-ën.